>
BIOSHQIP

Shkodran Tolaj Nuk Ndalet

03-02-2012
Tenori dhe solo-këngëtari Shkodran Tolaj, në një intervistë për Express, ka thënë se ka përmbyllur një vit të suksesshëm në 2011-ën, përderisa gjatë vitit 2012 premton edhe shumë befasi bashkë me të fejuarën e tij Besiana Mehmedi.

Tenori i njohur kosovar Shkodran Tolaj, në një bisedë për Express, ka paralajmëruar risi të shumta gjatë këtij viti, përderisa ka renditur edhe disa nga sukseset e përbashkëta që ka pasur me këngëtaren Besiana Mehmedi.

Në një bisedë për Express, Shkodrani ka thënë se gjatë vitit 2011 më shumë ka bashkëpunuar me këngëtaren Besian Mehmedi, me të cilën është edhe i fejuar.

"Paraqitja e parë e përbashkët në skenë ishte 28 Nëntori 2010 në koncertin solistik të Besianës në Shkup, ku mysafir të ftuar kishte Shkodranin dhe përcilleshin nga orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit të Shkupit. Më pas gjithçka ecën shpejt, njohja familjare në janar 2011, fejesa publike tradicionale në komunën e Zajazit më 15 prill të veshur të dy nën petkun kombëtar, më 16 fejesa për miqtë, mediet dhe kolegët në Tetovë, ku ishin mbi 20 këngëtarë", thotë Tolaj për Express.

Pas kësaj, Tolaj kishte pasur një paraqitje të suksesshme edhe në koncerte të tjera, që i kishte mbajtur për nder të festave në Kërçovë, Tetovë, Pejë, etj.

"Dy potpuri të cilat janë të natyrave të ndryshme, njëra më qytetare dhe tjetra më popullore, duke përfshire këngë çame, kosovare, kërçovare, të Shqipërisë së mesme, labe….me një fjalë perla nga muzika e mbarë hapësirës shqiptare u pritën jashtëzakonisht mirë nga publiku dhe u vlerësuan nga redaktorët e muzikës si prurjet më të përgatitura dhe më të veçanta në tërë programin festiv për 2012".

Por, nuk ishin vetëm këto dy potpuri. "Në programin e Vitit të Ri u paraqitëm me këngën ‘Bulevardet', e cila së shpejti do të xhirohet dhe si videoklip gjatë muajit mars-prill. Ndërkaq menjëherë pas tij do të realizohet videoklipi një këngë të punuar nga Nexhat Mujovi – Virusi , e natyrës tipike pop-dance, një këngë jashtëzakonisht e bukur me tekst nga Avni Qahili".

Paraqitja e fundit e Shkodranit ishte në Flakën e Janarit, ku interpretimi ishte live me orkestër. Aty këndoi një prej këngëve më të vështira, e cila kërkon fuqi vokale, dramaticitet, që e arriti në mënyre te mrekullueshme Shkodrani.

"Megjithatë Flaka ishte emocion i veçantë për faktin që këndohej live, për faktin që ishte e vetmja këngë që këndohej për Jusuf Gervallën, Bardhoshin e Kadri Zeken, për faktin që publiku kësaj kënge ia dha çmimin më të madh , atë të publikut me duartrokitje frenetike dhe ovacione të jashtëzakonshme. Pastaj mundësia ishte që atë natë këngët të depërtonin në mbarë publikun shqiptar përmes RTK-së, që transmetuan të gjitha këngët konkurruese".

Shkodrani po ashtu ka marrë çmime të ndryshëm në Gjermani, duartrokitje në shfaqje, albume të suksesshme, por asnjëherë nuk është ndjerë si në skenën shqiptare, si në përqafimin e publikut shqiptar, si pranë njerëzve të atdheut shqiptar.

Risi është se Shkodrani së shpejti planifikon të kthehet dhe të jetojë në atdhe, ta braktisë punën dhe jetën 16 vjeçare në Gjermani, për të sjellë bagazhin profesional në atdhe dhe për të qenë i pranishëm në skenën klasike, qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë, sigurisht edhe pjesë e jetës së përgjithshme artistike. Gjithashtu për të krijuar një familje tipike shqiptare.
(Ardian Jasiqi)

Shkodran Tolaj Nuk Ndalet