>
BIOSHQIP

Shkodran Tolaj, Muzika Popullore është Vlerë

28-12-2012
Tenori dhe këngëtari Shkodran Tolaj dhe solo këngëtarja Besiana Mehmedi kanë pohuar se këndojnë edhe muzikë popullore. Pikëpamjet e tyre në këtë drejtim janë të njëjta. “Mendoj se një këngëtar klasik që nuk njeh muzikën e vet, nuk është i plotësuar”, thotë Besiana Mehmedi

Çifti Shkodran Tolaj dhe Besiana Mehmedi në një intervistë dhënë gazetës Express janë shprehur se mendimet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me muzikën popullore janë të njëjta.

“Unë dhe Shkodrani mendojmë njëjtë dhe kjo ka bërë që të bëjmë një punë të mrekullueshme duke kënduar kënge çame, labe, kosovare, kërçovare, shkodrane, të Shqipërisë se mesme”, tha Besiana për Express.

Ajo tha se këngët janë punuar nga duart e mrekullueshme të Shkodranit të orkestruara, ideuar dhe përpunuara ne mënyrë te veçantë.

Çifti në fjalë ka qenë pjesë edhe e një festivali të organizuar nga RTK për nder të 100 vjetorit të pavarësisë me një këngë dedikuar flamurit.

Në këtë festival ata u shpërblyen me çmimin e dytë.

“Interpretimi ishte live dhe mendoj se ishte forma më e denjë për t’i kënduar me gjithë shpirt flamurit”, tha Shkodrani duke shtuar se fakti që u vlerësua me çmimin e dytë atë dhe Besianën i ka bërë të ndihen krenarë.

“Çmimi i dytë i festivalit edhe mua, edhe Besianën na ka bërë të ndihemi krenarë që arritëm të sjellim diçka me vlerë në ketë 100 vjetor të shtetit tonë”.

Këtë viti Tolaj ka sjellë edhe albumin e tij “Hape zemrën”. Mirëpo pas albumit ai solli edhe këngë të tjera shumë të suksesshme si kënga “Bulevardet” kënduar bashkë me Besianën dhe një potpuri me këngë të përzgjedhura nga të gjitha trevat, e cila është dëgjuar dhe pëlqyer mjaft.

Ndërsa për sa u përket angazhimeve përveç mësimdhënies në Universitetin e Tetovës tash e gjashtë vjet Besiana është shprehur se ka pasur edhe një emision televiziv në Televizionin e Maqedonisë.

“Veç kësaj qasjen time profesionale jam munduar ta shpreh dhe përmes emisionit tim “Gjurmë në pentagram” kushtuar artistëve nga Maqedonia me ndikim në muzikën shqipe, që është transmetuar një kohë të gjatë në Televizionin e Maqedonisë.” tha Besiana për gazetën Express.

Ata u shprehën se përkrahja që i japin në mënyrë të vazhdueshme njëri-tjetrit u ka ndihmuar mjaft shumë në aspektin e tyre profesional.

“Është mrekulli kur bashkohen dy zëra. Kur nuk e kam Besianën afër ndihem i përgjysmuar. Është personi që më ka përkrahur me së shumti gjatë të gjitha viteve të jetës dhe karrierës”, tha Shkodrani.

Ndërkaq në jetën si çift Besiana thotë se ata janë shumë të lumtur.

“Jo vetëm në skenë. Unë dhe Shkodrani nuk ndahemi për asnjë sekondë gjatë ditës kur takohemi…Në shtëpi, jashtë, në skene punët dhe përgjegjësitë i ndajmë bashkë”.
(Express)

Shkodran Tolaj, Muzika Popullore është Vlerë