>
BIOSHQIP

Shkodran Tolaj: “Publiku I Malësisë, Më I Veçanti Dhe Më I Dashuri”

18-11-2014
Krijues të shumtë shqiptar, janë të mirëseardhur edhe në qendrat më të mëdha të artit dhe kulturës, anë e mbanë globit, sidomos ata të muzikës, të cilët tashmë janë emra të njohur të zhanreve të ndryshme, në veçanti në muzikën klasike. Në mesin e tyre është edhe tenori i njohur, Shkodran Tolaj, i cili pas një periudhe të kaluar në mërgim, është kthyer sërish në mesin e bashkëkombësve të vet, duke vazhduar karrierën e tij të suksesshme në hapësirën mbarëshqiptare.

1. Shkodran, fillimisht a mund të na flisni pak për fillimet e karrierës suaj si këngëtar, për dashurin tuaj ndaj këngës dhe muzikës shqiptare. Si lindi ajo në shpirtin tuaj?

Shkodran Tolaj: Unë i takoj pjesës së Malësisë së Gjakovës,përkatësisht Vokshit të Sylejman Vokshit,sot pjesë e Deçanit.Sigurisht dashuria e parë ka nisur ndaj këngëve folklorike, atyre të Fatime Sokolit, Bajrush Dodës e kështu dhe dashuria për çiftelinë e tyre që dëshiroja ta kem dhe unë. Eshtë dashur të pres shumë gjatë derisa mu realizua kjo kërkesë meqë Babai mendonte se i bën dëm shkollës dhe mësimeve nëse ma blen. Megjithatë në momentin që u ble ajo çifteli iu këputën disa herë telat. Madje aq keq i shpërndaja nëpër dhomë sa motrat kushedi sa palë çorapë i grisën. Me pas Duke qenë se isha nxënës i mirë, Babai më lejoi të bëhem pjesë e Ansamblit dhe kështu ndodhën dhe daljet e para në skenë.



2. Rruga e suksesit në karrierën e çdo krijuesi është shpesh herë mjaft e vështirë, me sakrifica dhe punë me përkushtim maksimal. Besoj se edhe Ju kini çfarë të na flisni në këtë drejtim?

Shkodran Tolaj: Une do thoja që çdo profesion ka vështirësitë e veta por të jesh artist është sakrificë e vërtetë Duke marrë parasysh se duhet disiplinë, punë e vazhdueshme, durim, investimi. Rruga për ndërtimin e Një karriere të suksesshme është Shumë e gjatë por dhe përgjegjësia e të qenurit njeri publik është e madhe. Ajo që u lejohet të tjerëve në rrugë, komunikacion, kafene, nje njeriu publik nuk i lejohet andaj vetëkontrolli është elementi kryesor në jetën publike. Gjithnjë po flas në kontekst të një karriere serioze dhe të mirëfilltë, sepse ne dimë se një kategori të njerëzve publik që karrierën e bëjnë mbi bazë të skandaleve.



3. Ju, gjithnjë kini deklaruar se “artisti duhet gjithmon t’i kthejë sytë nga burimi, nga rrënjët”, të cilës Ju i qendruat besnik në karrierën tuaj kaq të suksesshme. A mund të na shpjegon ipakë domethënien e kësaj?

Shkodran Tolaj: Burimi eshtë identiteti. Burimi bën të kuptosh shpesh kush je dhe nga JE....Kjo të ruan kombëtarisht pikë së pari. Artisti pavarësisht çfarë kultivon dhe ku Jeton PO nuk jetoi me këmbë në tokë dhe autoktoninë e vet në shpirt, nuk ka identitet.

4. Ju tashmë, me të arriturat e shumta në skenën muzikore, jeni në radhën e tenorëve të famshëm, me zërin tuaj mjaft të veçantë, dhe po aq të mirëpritur nga adhuruesit e shumtë të këtij stili tuaj të veçantë. Ku qëndron formula e suksesit tuaj të dalluar në lëmin e muzikës?

Shkodran Tolaj: Shumë rrethana por nuk preferoj të jap vlerësime për shkallën e popullaritetit dhe nivelin profesional. Ka muzikologë, kritikë, media që kanë vlerësuar vokalin tim si botëror për shkak të ngjyrës, fuqisë dhe aftësisë për të kënduar stile të ndryshme të kompozitorëve Klasik dhe jo vetëm kaq. Unë në publik njihem si përpunues i motiveve popullore që, së bashku me Besianën, them se jo vetëm që i KEMI ringjallur në një kohë kur perlat e muzikës janë harruar pothuajse,POR dhe i kemi trajtuar ndryshe PREJ origjinaleve, duke avancuar akoma në anën profesionale sepse ky DUHET të jetë dhe mision i këngëtarëve të shkollar.



5. Për Ju, pjesëmarrja në koncerte dhe festival të ndryshme është kënaqësi e veçantë dhe që e përjetoni me mjaft emocione. Rëndom jeni shpërblyer me çmimet e para në evenimente të tilla mbarëkombëtare. E di se numri i tyre është tepër i madh, por besoj se do të na i veçoni disa nga ato?

Shkodran Tolaj: Po përmend çmimet më të veçanta. Çmimin e parë në “Flaka e Janarit 2013”, në Gjilan, me ç'rast të ardhurat materiale ia dedikuam familjes se Kadri Zekës, që e bëri dhe më emotiv këtë çmim. Më pas, çmimi i dytë në “Festivalin e Flamurit në Prishtinë”, organizuar për 100vjetorin e Pavarësisë dhe çmimi i fundit tejet i rëndësishëm "Nexhmije Pagarusha", në Tiranë, n? Festivalin "Kënga ime".

6. Dua të veçoj disa nga këngët tuaja, siç janë “Moshatarja”, pastaj kënga “Flakëro flamuri im”, si dhe disa këngë për fëmijë . Por , cilat nga këngët tuaja i këndoni me kënaqësi të veçantë?

Shkodran Tolaj: Eh, këndimi dhe krijimtaria sjellin ndjesi t? ndryshme. Si këngëtarë kam interpretuar këngë të bëra vet dhe nga të tjerë dhe tek ato të të tjerëve mundohem tu përshtatem kërkesave kompozicionale, stilit dhe anës shpirtërore të kompozitorëve. Te këngët e fëmijëve që komponoj, është një botë e tërë me ngjyra ku secilit fëmijë i bëj këngë sipas karakterit dhe është kënaqësi të dëgjosh finalen e realizuar. Eshtë prodhim shumë origjinal.



7. Shkodra, Ju për disa vite me radhë kini përjetuar edhe jetën në mërgim, ku jetojnë bashkëkombas tonë të shumtë, pothuaj se në të gjitha kontinentet. Si mund të na përshkruani jetën e një mërgimtari, ose më mirë të them të një krijuesi i cili jeton larg vendlindjes në mërgim?

Shkodran Tolaj: Njeriu është qenie që adaptohet. Për të qenë realist për një artist jeta në atdhe është shumëfish më e dëshiruar sepse ndryshe janë përjetimet dhe lidhjet me publikun tënd. Fatkeqësisht, kohë të gjatë unë karrierën jashtë e kam zhvilluar në qarqe gjermane sepse hapësira e mërgimtarëve për organizim të evenimenteve klasike nuk është. Para kthimit tim në Atdhe jam munduar të jem prezent në disa aktivitete serioze të organizuar jo me pak vështirësi nga artdashës bashkëkombës mërgimtarë.

8. Përveç veprimtarisë si krijues , Ju jeni edhe pedagog në Universitet që, s’do mend, kërkon angazhim të madh në përgatitjen e kuadrove të rinj. Sa ndikon kjo në punën tuaj si krijues , të vazhdoni me të njëjtin intensitet karrierën e një artisti të madh?

Shkodran Tolaj: Mendoj që sistemi arsimor, posaçërisht muzika, kërkon profesionistë që kanë një eksperiencë dhe emër për të qenë i besueshëm në atë që ua transmeton të tjerëve. Ky është element që është bazë dhe po pate këtë është kënaqësi të punohet me studentë.



9. Unë, dua të veçoj atë që Ju e theksoni gjithnjë sa i përket suksesit tuaj, respektivisht mbështetjes së madhe të Besianës, bashkëshortes suaj, të cilës i jeni aq mirënjohës në karrierën tuaj kaq të frytshme?

Shkodran Tolaj: Ndonjëherë mund të duket e tepërt në potencimet e kualiteteve apo kontributit që Besiana ka dhënë në ngritjen time. Dy thënie THONË: falemnderimi është virtyt njerëzor; dhe se: pas çdo Burri të suksesshëm qëndron një Grua e suksesshme. Besiana është për mua Shoqe, kolege, kritike, mbështetëse, fansë e zërit tim dhe në fund bashkëshorte. Ne kemi tashmë të GJITHA projektet e përbashkëta dhe funksionojmë si një. Së bashku, përveç në skenë, ne tashmë jemi bartës Artistik të Shumë evenimenteve si: vera kulturore, një festival për fëmijë dhe po ashtu, kemi një klasë të përbashkët ku punojmë me shumë të talentuar çdo fundjavë; piano, këndim, solfezho e lëvizje skenike.



10. Me siguri se në krijimtarinë tuaj kini bashkëpunuar me krijues të shumtë nga hapësira mbarëshqiptare. Ju rëdnom i falënderoni të gjithë ata për kontributin e dhënë në karrierën tuaj muzikore. Me siguri do të veçoni ndokënd nga ata?

Shkodran Tolaj: Do përmend Xhevdet Gashin, Mentor Thaçin, Naim Gjoshin, Ilir Tolajn, Damir Imerin dhe bashkëpunëtorët e fundit; Adi Hila e Pandi Laco. E përësëris: Falemnderit vazhdimisht atyre që bëjnë qofte dhe vetëm një varg apo një fraz? për mua.

11. Çfarë mund të presim në një perspektivë të afërt nga Ju. Ndonjë këngë të re për adhuruesit tuaj?

Shkodran Tolaj: ...Unë vazhdoj me aktivitete që VEÇ kam marr përgjegjësi. Jam drejtor i Festivalit për fëmijë “Dita jonë”; vazhdoj punën pedagogjike. Sivjet në Mars kam patur Koncert Klasik solistik shumë të suksesshëm me orkestrën e Operës së Maqedonisë, në Tetovë. Në planet e MIJA, është një koncert tërësisht Klasik i formatit pak më të ndryshëm. Një rol në një shfaqje Opere. Këto janë projekte për 2015. Kurse Deri në permbylljen e 2014, janë festat e nëntorit, xhirimet e Vitit të ri. Dhe preokupimi kryesor Festivali i Televizionit shqiptar. Jemi pjesë e kësaj garë të përzgjedhjes së Këngës për Eurosong.



12. Kohë më parë, së bashku me Besianën, për kënaqësinë e adhuruesve tuaj në trevat shqiptare në Mal të Zi, kënduat në Tuz, në shenjtoren e “Shna Ndout” dhe në QKI “Malësia”, me rastin e 11 vjetorit të lumturimit të Nënë Terezës. Cilat janë mbresat tuaja nga qendrimi juaj në këtë mjedis dhe kur mund të ju presim sërish në Malësinë e Madhe?

Shkodran Tolaj: Ne sivjet për herë të dytë ishim të ftuar dhe unë jam shprehur që në Malësi gjeta Kosovën time që e lash kur shkova në mërgim më 1997.Një vend me shqiptarë plot bujari, dashuri, respekt e mikpritje. Për mua Publiku i Malësisë është më i veçanti dhe më i dashuri në trojet tona.

13. Çdo artist vepron dhe krijon për adhuruesit e vet, të cilët edhe janë ai parametri kryesor për suksesin ose jo të një krijuesit. Ju flisni me shumë dashuri dhe respekt për të gjithë ata që preferojnë atë që Ju krijoni për publikun e gjerë mbarëshqiptar. Cili do të ishte mesazhi Juaj për ta?

Shkodran Tolaj: Nuk lë pa i falënderuar dhe një herë sepse ata janë që na japin motiv dhe shpresë se muzika Shqipe dhe e mirëfilltë më tepër është imponuar nga popujt fqinjë e mediat sesa që kërkohet aq shumë në tregun aktual. Në këtë rast u premtoj në vendosmërinë time për mos devijuar kurrë në rrugën artistike që kam zgjedhur dhe me atë imazh më ka pranuar spektatori.
(Dijana Gj. Dukaj/teksteshqip.com)

Shkodran Tolaj: “Publiku I Malësisë, Më I Veçanti Dhe Më I Dashuri”