>
BIOSHQIP

Shkumbin Ismaili, Puna Ndaj Publikut Gjithmonë Shpërblehet!

03-05-2017
Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

1. Shkumbin Ismaili, emër tashmë i dashur dhe i njohur për të gjithë. Si arrini që të jeni kaq i dashur nga të gjithë kudo që këndoni?

Shkumbin Ismaili: Në çdo koncert, performancë mundohem të jap maksimumin kudo që shkoj. Të jem sa më afër atyre që ndajnë kohë dhe vijnë në koncert për të më dëgjuar. Është kënaqësi kur dëgjoj publikun duke kënduar bashkë me mua në çdo këngë dhe ato tekste këngësh që dikur i kam shkruar me shumë pasion.

2. Ju, dalloheni për vokal të veçantë dhe me këngë që mbartin mesazhe. Mendoni se është ky çelësi i suksesit tuaj?

Shkumbin Ismaili: Dua të jem vetvetja në çdo këngë, mundohem të jap mesazhe pozitive. Vazhdoj të punoj duke mos humbur "çelësin" të cilin e kam krijuar, ruajtur nga fillimi i karrierës sime!

3. Ju vazhdoni me të njëjtin përkushtim ndaj muzikës. Si e përjetoni Ju atë?

Shkumbin Ismaili: Mundohem që çdo këngë të jetë në nivelin e duhur edhe pse nevojitet shumë kohë dhe përkushtim. Puna e vazhdueshme dhe pa hile ndaj publikut gjithmonë shpërblehet!



4. Këndoni balada. Nga lindi ky pasion për këtë zhanër sa të bukur aq edhe të vështirë?

Shkumbin Ismaili: Vërtet është vështirë të krijosh një baladë që ti mbijetojë kohës dhe tregut në ditët e sotme. Unë do vazhdoj te sjellë balada ashtu siç kam bërë deri tani sado që e vështirë të jetë!

5. Kini edhe duete. Sa është sfiduese për ju që ti realizoni ato?

Shkumbin Ismaili: Kam pasur deri tani tri bashkëpunime që janë pëlqyer. Besoj që edhe në të ardhmen do të ketë nëse ja vlen.

6. Jeni i ndikuar nga dikush që të merreni me muzikë apo ka qenë dëshirë e juaja?

Shkumbin Ismaili: Babai im, këngëtarë folklorik dhe njëherësh një ndër organizatorët e parë të koncerteve në Maqedoni. Jam rritë duke shijuar skenën në çdo moment. Ndoshta edhe kjo ka qenë një nder arsyet që unë vazhdova të merrem me muzikë.

7. Ju, shkruani edhe tekste. Kanë biografi?

Shkumbin Ismaili: Në të shumtën e rasteve janë shumë origjinale, gjëra që na ndodhin çdo dite të gjithëve.



8. A mendoni se përmes këngës thuhen të gjitha?

Shkumbin Ismaili: Është vështire të përshkruash, dedikosh një mesazh në mes të shtatë notave. Kënga është vetë emocion.

9. Fama është e vështirë të arrihet. Por, më e vështirë të mbahet. Cili është opinioni jua?

Shkumbin Ismaili: Çdo fillim është i vështirë por njëkohësisht dhe te mbash po atë ritëm suksesi është e vështirë.

10. Ju, gjithherë kini plane të bukura, andaj për adhuruesit tuaj, a mund të na zbuloni ndonjë nga planet për të ardhmen sa i përket muzikës?

Shkumbin Ismaili: Këto ditë është publikuar kënga "Se c'mu desh". Shpresoj që do të pëlqehet si gjithë të tjerat.

11. Mesazhi juaj për të gjithë adhuruesit e këngës tuaj?

Shkumbin Ismaili: Jeta është e bukur, jetoni dhe shijojeni në maksimum.
(Dijana Gj. Dukaj)

Shkumbin Ismaili, Puna Ndaj Publikut Gjithmonë Shpërblehet!