>
BIOSHQIP

Shkurte Fejza, Së Shpejti Një Bashkëpunim

08-02-2014
Kemi dëgjuar shpesh ta quajnë ikona e muzikës popullore. Është kjo këngëtarja Shkurte Fejza e cila tash e sa vjet ruan me fanatizëm këngën burimore dhe e sjell në publik tingullin origjinal të muzikës sonë. Por edhe pse ka arritur të jetë njëra ndër emrat më të dashur të skenës sonë, këngëtarja Fejza nuk ndalet asnjëherë, ajo vazhdimisht punon në këngë të reja dhe vjen tek ne e freskët dhe me shumë dashuri.

E në një këngë të re po punon edhe tani, kështu të paktën ka pohuar vetë ajo për gazetën Tribuna. “Jam duke punuar në këngë e projekte të reja vazhdimisht”, ka thënë Shkurta në fillim të bisedës, ndërsa ka shtuar se është duke punuar me shumë përkushtim në projektet e saj. “Jam duke punuar me shumë përkushtim. Kënga e re do të dal shumë shpejt dhe sigurisht që do të jetë e plotësuar edhe me videoklip. Tashmë kjo na është bërë pjesë e pandashme e punës sonë”, ka thënë këngëtarja më tej.

Për festën e Pavarësisë me shqiptarët në Amerikë

Por kjo nuk është e vetmja risi që këngëtarja po sjell në treg, Shkurta ka bërë me dije më tej që repertorit të saj do t’i shtohet edhe një këngë në bashkëpunim. Por që emri i kolegut me të cilin këngëtarja do na e sjell bashkëpunimin, ka preferuar të mbetet surprizë për publikun e saj. “Do të ketë edhe bashkëpunim, por dëshiroj që kjo të mbetet befasi për publikun tim”.

E ndonëse njihet e vlerësohet edhe për këngët patriotike të cilat gjithmonë kanë sjellë një frymë të re në skenën tonë, në prag të festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, këngëtarja ka thënë që nuk do të arrijë të publikoj këngë të reja, por ka theksuar se gjithsesi do të jetë pranë publikut të saj. “Nuk e di a do të mund të përfundohet kënga e të lansohet në prag të festës së Pavarësisë. Por, edhe nëse nuk arrij, unë kam shumë këngë që mund të këndohen atë ditë”, ka thënë Shkurta, duke shtuar. “Gjithsesi do të jem pranë publikut tim në festën e Pavarësisë. Do të jem e angazhuar që t’i argëtoj me muzikën time bashkatdhetarët tanë në Amerikë”.
(Nita Brisku)

Shkurte Fejza, Së Shpejti Një Bashkëpunim