>
LETERSISHQIP

Sikur Shi Të Mos Binte

Sikur shiu të mos binte
përmbi flokët pikë-pikë,
si rruaza puthjesh rrokullisur
nëpër fytyrë
përmbi buzët të mos bënte pushim,
këtë kujtim shkruar nëpër fletët e qiellit
larg do ta fluturonte vetë malli im
malli kaq i fortë, por gjithë drojë
në dritaren tënde do ta mbante frymën,
nëpër dysheme rrotull do të vinte,
majë gishtash lehtë-lehtë,
duke të kundruar;

sikur shiu të mos jetë
mbi këtë çast të brishtë duke trokitur
ëmbëlsisht e pambarim
dhe qielli i korrikut i kthyer në dhjetor
sikur të mos jetë...
është malli im.