>
LETERSISHQIP

Mos Më Pyet Mua

Jam mërzitur me ty përsëri.
Më parë më kishe harruar;
tashmë që jemi përballë nuk e di
përse edhe kush na ka ngatërruar.
Me ty jam mërzitur sikundër
ti mund të jesh me mua.
Nuk i dua më buzëqeshjet,
përkëdheljet, trillet, joshjet e tua.
Muret palë-palë me shpejtësi
i ngre të lartë si kështjell',
e mbrojtur nga dhimbja jam tani
paçka se kam mbetur pa diell.
Ti, shtrirë përmbi livadhe përrallore rrëzë Tomorit,
në Valbonë mëngjeseve i lan sytë,
duke u lexuar zogjve Poradecin,
një dallgë Joni të mbetet në fyt.
Atdhe, o plagë pa shërim!
Në djall djajtë edhe engjëjt gjithashtu,
u ngujoftë loti pa kthim
nëpër drurët e gurët e tu!
Krahët kurrë nuk t’i kthej!
Të dua! Zemra asnjë çast nga ty s'është ndarë, por, të lutem,
mos më pyet mua
përse hipa në trenin e parë.