>
LETERSISHQIP

Një Musliman Në Kishë

Një mëngjes shkova edhe unë në kishë,
Pamvarësisht se s’kam qenë
apo s’jam i krishterë!
Pashë gjithë të tjerët të bëjnë kryqin,
Ashtu bëra edhe unë, si të tjerët!

Por ndodhi që i ngatërrova duart,
Mënyrën se si ato duhej të lëviznin,
E ndjeva veten jo pak, të turpëruar,
Instiktivisht vështrova Krishtin!

Po Krishti kish të tjera probleme,
Ia shihja sytë që i kish të lodhur!
Të ngatërroje kryqin
ish më shumë për të qeshur!
Paçka se mua s’duhej të më kish ndodhur!

Musliman i dreqit, i thashë vetes,
Një gjë kaq të thjeshtë
s’e fute dot në kokë!
Kjo për priftin
nuk ishte ndonjë prishje feste,
Gabime të tilla bëhen kudo në botë!

Kjo është njëlloj sikur atje në xhami,
Pa i hequr këpucët një i krishterë të futej!
Vështrova prapë Krishtin
dhe pashë se ai,
Për mua po lutej!
6 maj 2012