>
LETERSISHQIP

Jam I Paaftë

Jam i paaftë t’iu bëj keq të tjerëve,
T’i fut ata papritur nëpër kurthe!
Për këtë duhet të kesh diçka prej amebe,
Të jesh mik me butakë, me molusqe!

Jam i paaftë të hedh rrjeta fjalësh,
Që ngjajnë si të jenë prej merimange!
Jam i paaftë që shkëlqim të jap,
Siç japin flokët, kur ia prek, një vajze!
Jam i paaftë të spiunoj miqtë,
Edhe armiqve humbjen nuk ia dua!
Krishti i fali, jo veç një herë të ligjtë,
Paçka se ata prapë e kryqëzuan!

Jam i paaftë që të vetëvritem,
Nuk jam aq trim sa mund të dukem!
Si syri i vetëm i hënës në qiell,
Unë netëve do t’ju duhem!

Jam i paaftë të godas pas shpine,
Mos kini frikë ju që ju kam para!
E çdo të ishte madhështia e piramidave,
Po të mos ishte Sahara!?