>
LETERSISHQIP

Po Troket

Shtëpizat e parajsës s’janë aq pranë,
sa të mundësosh hyrjen gabimisht nëpër odat e bardha,
pushit diellor takohemi rrallë,
dritare vargjesh shëmben, trungut të pambjellë si duhet,
perspektivave shuhemi larg...

Lagështohem brymës së shenjtë,
thua afroi ora e vdekjes...?
Po troket,
vjen si planifikim modern,
modestia përmbledh vetëm emocionet...

Ushqimi i shpirtit mban rradhë, atje më tej,
shkëndia ngacmon vetërrotullimin ndjesor.
Fjalët e zemrës ende s’kanë shterruar...

Jetë, ti po shuhesh
apo iluzioni i vdekjes po të shtrëngon mbytjen pak nga pak...?
Ende s’ke shijuar lulëzimin e shpresave,
sillmë një kilogram fat
të mundësoj këputjen luleve të çelura
me gjethe dafine thurrjen kurorë
brenda shpirtit të flak hijet, ndjekur pas...

Fjalët, t’i mbllaçit fshehurazi, mos më dëgjojnë zogjtë,
mbasi përhapin lajmin,
ndërsa unë, dua të shndërrohem ujëvararë përplot’ lotë,
të puthem gurësh, sokakëve të vend-lindjes,
pastaj lermëni
shuarje dritash, qytetit më të bukur në botë
në Tiranën tonë, mbjellur kam një varr...