>
LETERSISHQIP

Vdeksha Në Muajin E Prillit...

Vdeksha në muajin e Prillit
kur çel burbuqe dafina,
kur s`pushon zëri i bilbilit
dhe qëngjat me blegërima.

Dhe pllajat me lule dele
në mëngjes u fryn veriu,
dhe thëllëzat nëpër gjerdhe
lagur nga një vesë shiu.

Si të tjerët edhe unë
s`jam vetëm që vdes i pari,
rrezet e diellit të ngrohtë
të më japin ngjyrë ari.

Të më përcjellin me lule
borzilokë e menekshe,
dhe me këngët që këndova
sa isha i gjallë mbi dhe..

O ju bletë punëtore
që gumëzhini te zgjoi,
i merrni këngët e mia
dhe i bëni mjaltë hoi.

Dhe unë kam qënë si juve
dhe kam jetuar mbi tokë,
që kam qesh e që kam qarë
dhe kam dashur miq e shokë..

Kur mbi pllaka hidhet dheu
varri bëhet shume i rëndë,
po më thanë shokët ngreu
do të kthehem prapë në këngë.

I veshur me rroba labe
plot me dëshirë e me gas,
do takoj miqtë që pata,
dhe të dashurën që lash pas...

2/04/2016