>
LETERSISHQIP

Skllav I Mallit T`parë

Njëzet e më shumë vjet,
që ty s`të kisha parë,
po s’tretet kurrë në jetë,
kujtim’i mallit t’parë..

E trembur nga dashuria,
dhe mënd gjë tjetër s’mbaj,
që kurrë s’u ndezëm flakë,
dhe mbetëm të pa faj..

Të dy ishim një moshë,
në një klasë që të dy,
që s’dinim çdo të thosh,
dhe ç’qe një dashuri..

Atë vërtet s’e dinim,
po prapë ishim në hall,
dhe pak vetëm kur rrinim,
na kapte keq një mall..

Ja dilja më në fund,
gënjeja për çdo rast,
më duhej goxha mund,
të rrinim tok një çast..

Të fshehur si në vathë,
të tretur në harrim,
mëkati më i madh,
ka qenë një shikim..

Dhe prapë e prapë kërkoja,
kërkoja vetëm ty,
që hiç mos na dëgjonim,
ne flisnim veç me sy..

Po shpesh më ngrinin sytë,
dhe binim në një ëndërr,
më jipte syri yt,
një drithërimë në zemër..

Njëlloj nga sytë e mia,
shigjeta mbi ty binin,
kjo ishte dashuria,
po neve nuk e dinim..

S'mbaj mënd përse magjia,
mbaroi për ne të dy,
kur erdhi dashuria,
ne s'ishim më aty..

Këto që di tani,
ahere nuk i dija,
po ku ndryshon s'e di,
malli nga dashuria ??

Enigmë s'mund të mbetet,
dhe s'pyes asnjeri,
një mall që kurrë s'tretet,
është një dashuri...

Instiktivisht mendoj,
këtej s'ke për t'u dukur,
por malli im për ty,
është malli më i bukur..

Jam mbytur si në det,
kujtimeve të mia,
se malli rron në jetë,
më shumë se dashuria..

Po mbase do harrosh,
atë që na ka ngjarë,
dhe vetëm unë do mbetem,
një skllav i mallit t`parë..