>
BIOSHQIP
Biografia
Kompozitori Spartak Tili ka disa vite që është kthyer nga Greqia, por tregon se nuk e kishte pritur kurrë që të ishte një situatë kaq problematike me krijimtarinë muzikore shqiptare. I njohur për kompozimet e tij që në vitet ’70, kompozitori tregon se çfarë situate ndesh sot në institucionet shtetërore një krijues në muzikë. Sipas kompozitorit, asnjë institucion nuk pyet për krijimtarinë shqiptare, por vëmendja është përqendruar në veprat e autorëve të huaj. Kompozitori Spartak Tili ka shkruar deri më tani rreth 30 vepra, simfonike, koncertale, instrumentale, vokale, etj, nuk është i paktë dhe numri i këngëve që ka krijuar, mbi 40 këngë ndër vite, por siç pohon dhe vetë, si krijimtaria e tij apo dhe krijimtaria e shumë kompozitorëve të tjerë duket se është e harruar. Akuzat e kompozitorit shkojnë dhe në drejtim të RTSH, pasi veprat i ka në arkivin e tij dhe nuk i ka në vëmendje. I gjendur përballë kësaj situate, kompozitori Spartak Tili, i cili për nëntë vite ka qenë dhe drejtues i Festivaleve të Këngës në RTSH, pohon se kjo situatë duhet të marrë zgjidhje, të ketë të tjera politika në institucione, pasi kompozitorët shqiptarë po harrohen.