>
BIOSHQIP
Biografia
Rrjedh nga një familje e thjeshtë me prejardhje disa breza klerikësh. Babai i tij shërbeu si klerik deri në vitin 1967 në periudhën, që u ndalua feja. Spiro Katundi ndoqi rrugën e babait si klerik duke u pranuar si i tillë në vitin 1992. Eshtë i martuar dhe ka dy fëmijë. Që i vogël u shqua, për prirjet e tij artistike, që më vonë do të konsolidohej si artist i kompletuar. Fillimet e jetës artistike janë, qysh në shkollën tetëvjeçare duke marrë pjesë gjallërisht në aktivitetet artistike. Në vitin 1967 fillon si aktor protagonist në teatrin e kukullave të qytetit. Në vitin 1968 -- 1974 njëkohësisht aktivizohet edhe në Teatrin Profesionist Andon Zako Çajupi Korçë, me role të vogla. Në vitin 1974 kryen shërbimin ushtarak në Cerrik ku u aktivizua si këngëtar dhe si krijues. Dhe merr pjesë në Festivalin e katërt të këngës të muzikës së lehtë në qytetin e Elbasanit, e më vonë në 1975 në Festivalin e 5-të të këngës. Gjatë kësaj periudhe shquhet edhe si krijues tekste këngësh për fëmijë dhe të rritur. Në vitin 1976 del përpara publikut korcar në një koncert të Estradës Profesioniste "I duam këngët tona", duke u bërë shumë i njohur si këngëtar, dhe për 15 vite rrjesht debutoi me sukses. Në vitin 1983 ftohet për të marrë pjesë si këngëtar në Festivalin 22-të Kombëtar në RTSH, duke debutuar në 7-të festivale deri në vitin 1987, si dhe në Festivalet e interpretuesve në RTSH, përkrah zërave më të njohur të këngëtarëve te shquar të muzikës dhe afirmohet si këngëtar i suksesëshëm dhe vlerësohet si prurje nga më të mirat të atyre viteve, për vokalin e tij. Në vitin 1987 - 88 dekorohet nga Ministria e Kulturës, me çmimin "Naim Frasheri" të klasit të 2-të e të 3-të. Krahas Estradës Profesioniste të Korçës debuton dhe në Korin karakteristik "Lira", deri në vitin 1991 ku erdhën dhe ndryshimet e mëdha në vend. Po këtë vit i bashkohet korit të Kishës Orthodhokse dhe në muajin shkurt 1992 fillon studimet në Akademinë Teologjike "Ngjallja" në qytetin e Durrësit. Në Maj 1992 gradohet si dhjak dhe në Nëndor të po këtij viti gradohet prift, duke fituar më vonë të gjitha gradat më të larta, që i takojnë një prifti familjar. Ai mban titullin "Ikonom". Mbasi përfundoi studimet në Akademi ai vazhdon deri më sot, të shërbejë në Kisha të ndryshme dhe për disa vite drejton Kishën e Mitropolisë së Korçës. Të qënurit e tij klerik nuk e la mbrapa aktivitetin e tij krijues dhe artistik. Me iniciativën e tij në 1992 u ngrit kori për fëmijë në Kishën "Profiti Ilia" dhe në vitin 1993 u ngrit kori i burrave po në këtë Kishë. Në vitin 1998 ngriti korin "Shën Niketa", më 1999 korin e kishës së "Shën Thanasit". Në vitin 2000 botoi librin "Hymne dhe topare", në vitin 2008 botoi librin "Krishti lind lavdërojeni". Po punon edhe për dy libra të tjerë. Për 20 vjet pa u ndalur ka krijuar këngë për fëmijë me tekst e muzikë të tij duke u ndeuar çdo vit me çmime të dyta e të treta ne Festivalet e Fëmijëve në Korçë dhe këtë vit në muajin Maj, fitoi çmimin e parë me tekst e kompozim të tij në Festivalin e 52-të. Spiro Katundi ka realizuar dy koncerte recitale për fëmijë në vitin 1999 "Me ne vëllazëroni" dhe në vitin 2002 "Me këngë e poezi në vite". Po kështu me krijimet e tij ka realizuar koncerte recitale për të rritur në vitin 2009 duke përmbledhur këngët e tij të krijuara me titull "Me miqtë në vite" dhe në vitin 2011 "Malli i harruar". Spiro Katundi është një nga artistët më të njohur të qytetit të Korçës si krijues i muzikës dhe teksteve të këngs. Njëkohësisht ka një numur të madh krijime në poezi, të cilat shpejt do të përmblidhen në një botim libri. Periudha 47 vjeçare ka shpalosur në karierën e tij artistin e 35 këngëve të muzikës së lehtë për të ritur, 48 këngëve për fëmijë, 58 poezi dhe tekste këngësh, artikuj të ndryshëm në Revistën "Tempulli", Mbrëmje letraro - muzikore për fëmijë me rastin e Krishtlindjeve...e të tjera. Në vitin 2018 u nderua me çmimin e dytë në konkursin e poezisë në Korçë organizuar nga Universum Albania, me poezinë "Ndaj të quaj mbretëreshë". Në Maj të 2019 zgjidhet anëtar i bashkimit të poetëve "Muza Poetike". Në Qershor 2019 zgjidhet anëtar i "Unionit global të poetëve Shqiptarë". Në Shtator 2019 u zgjodh anëtar i "Unionit botëror të poetëve" dhe mban Titullin "Ambasador" i përhershëm i botës të poetëve të bashkimit botëror i nivelit 23 nga 25 nivele të Unionit botëror. Krijimtaria e tij është në vazhdim gjithmonë. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij është botuar në faqen e tij në Fb si dhe një pjesë e mirë e këngëve të krijuara për fëmijë e të ritur janë në Youtube. Aktiviteti i tij është i larmishëm në vazhdim si në muzikë dhe në poezi.

Në Dhjetor 1983, Spiro Katundi merr pjesë në Festivali i 22-të në RTSH me këngën "Zbukurohet Qyteti Im".