>
LETERSISHQIP

Keku

Të diel në drekë,
mami bëri kek.
Keku gjithë shije
buzët t'i lëpije.

Entela e vogël
që s'duron për kek,
thelën pse s'e prek?

Fshehur në një letër
e mori në dorë,
doli në oborr.

Aty në një qoshe,
me një goxha shkop,
nis e hap një gropë.

Dy pula e panë,
habitur i thanë:
- Ç'e do, moj Entelë,
këtë gropë të thellë?!

- Kekun do ta mbjell,
që të bëhet pemë,
të ketë në çdo degë,
nga një tavë me kek...

Ehehe, moj pula,
ç'do bëhet këtu,
do hani dhe ju!...

Pret çdo ditë Entela
që të rritet thela,
po pulat nuk pritën,
shkuan e çukitën.

Sikur ato pula,
mos ta kishin ngrënë,
kjo thela me kek,
a do hidhte rrënjë?

A do rritej dot?

Thojani Entelës,
se ndoshta pret kot...
1995