>
BIOSHQIP

Tds, Tashme Pjesë E Babastars

11-11-2012
Sipas të gjitha indikacioneve hip hop grupi TDS tani është pjesë e BabaStars. Kjo së paku mund të vërehet nga vet aludimet që bëjnë reperët, më saktësisht lideri i TDS, Dr. Mic, nëpër rrjetet e ndryshme sociale.
TDS ka arritur me sukses shpërthimin në skenë dy vite më parë kur së bashku me Skillz arritën të krijonin hitin "Si Manekene".

Tani kur Skillz është shpërndarë dhe një prej ikonave, Ledri, është larguar nga muzika, pritet të pasojë një revolucion i madh në skenën shqiptare të hip hopit.

Kjo pasi TDS me në krye Dr. Mic ka kaluar në 'labelin' BabaStars. Kështu së paku konfirmojnë burimet e afërta me 'labelin' që kanë treguar për Telegrafin se pritet që së shpejti të vihen edhe në pah krijimet e anëtarëve të tanishëm të BabaStars me TDS.

Për të vërtetuar se burimet tona janë të sakta është përkujdesur edhe vet Dr. Mic, i cili në një foto të postuar në Instagram ka shkruar në koment: "BS", që janë inicialet e 'labelit' BabaStars.

Ende nuk dihet zyrtarisht nëse TDS është pjesë e BabaStars, por kjo pritet të konfirmohet në muajt në vijim kur të dalin apo jo bashkëpunimet e tyre në treg.

Skena shqiptare e hip-hopit është duke kaluar një periudhë revolucionare në epokën e ekzistimit të saj, pas incidenteve mes grupeve rivale në prill të këtij viti, largimit të Ledrit nga muzika që u konsiderua goditje e madhe për hip hopin dhe koncertin e Unikkatilit, i cili mblodhi plot 25 mijë persona në stadium. Këto dhe zhvillimet tjera, duke përfshirë dhe forcimin e 'labelave' P.I.N.T. dhe BabaStars pritet të kenë ndikim në ristrukturimin e kësaj fryme muzikore, që do të jetë jashtëzakonisht e nxehtë vitin e ardhshëm.
(Telegrafi)

Tds, Tashme Pjesë E Babastars