>
BIOSHQIP

Teuta Kurti: “Aya Më Ka Ndryshuar”

21-01-2014
Nuk e kishte parë të udhës të rrëfejë më herët ndjenjën e të qenit nënë. E kjo për vetë faktin se kishte dashur që ta përjetojë më shumë këtë ndjenjë, për ta rrëfyer tek fansat. Dhe tani kur Aya ka mbushur plot 6 muaj, Teuta Kurti ka rrëfyer ekskluzivisht për Tribuna ndjenjën e të qenit nënë e rikthimin në skenë për këtë vit.

Po jeton çdo ditë ndjenjën e të qenit nënë. Dhe që nga ardhja në këtë botë e të voglës së saj, Teuta Kurti ka treguar për Tribuna, se po ndjehet ndryshe. Ndërsa ka rrëfyer ndjenjën e përjetuar si një grua e bekuar nga Zoti, këngëtarja ka treguar edhe arsyet se pse deri më sot nuk ka rrëfyer përjetimet karshi të voglës së saj.

“Arsyeja që deri më tash i kam refuzuar të gjitha intervistat ka qenë e vetmja arsye sepse unë nuk mund të dija qysh në fillim eksperiencën se si është, pa i kaluar disa muaj me vajzën. Nuk e shihja të udhës të flisja për një eksperiencë që nuk e kisha përjetuar më përpara. Sigurisht që obligimet ndaj saj i vërejta bashkë me rritjen e saj. E duke e marrë parasysh që Aya është një vajzë super energjike, vetëm atëherë e kam vërejtur se çfarë është angazhimi i nënës”, kështu ka treguar fillimisht Kurti, ndërsa ka bërë me dije se i është përkushtuar me krejt forcën, rritjes së vajzës.

Aya më ka ndryshuar

Ndërsa ndjehet e bekuar me emrin nënë, Teuta ka treguar se vajza e saj e ka bërë tejet të lumtur. “Aya më ka bërë personin më të lumtur në botë dhe një person po e vërejë me më shumë përgjegjësi. Po e vërej tashmë çfarë është të kesh përgjegjësi për një person të vogël pasi gjithçka tashmë varet nga unë duke u nisur nga ushqimi, buzëqeshja ndërsa gjëja e tretë me vajzën time është loja. Ajo kërkon që gjatë gjithë kohës të luaj me të”, ka treguar nëna, duke shtuar.

“Po e vërej se më ka ndryshuar sepse në momentin kur unë dal të kryej ndonjë punë dhe jam vetëm, e vërej sikur të humb diçka që je mësuar ta kesh gjatë gjithë kohës pranë. Nuk po them se jam zbutë apo më ka ndërruar si person, sepse njeriu nuk ndërron. Por më ka bërë njeri me më shumë përgjegjësi. Më është shtuar nervoza më tepër ha-ha-ha. Faktikisht Dardani po më ndihmon shumë. Ndryshe një falënderim i madh i shkon nënës sime e cila më është ndodhur pranë këta muaj shumë. Më ka ndihmuar dhe më ka lehtësuar që të jem edhe unë nënë duke më treguar se si duhet të rritet një fëmijë”.

‘Filarmonia i vetmi vend që po më mungon’

Karshi ndjenjës së mirë, Teuta ka treguar se ka ndjerë mungesën e një tjetër dashurie të saj. “Më shumë që më ka munguar për sa i përket muzikës, është filarmonia. Është i vetmi vend që më ka munguar më shumë për vetë angazhimet e shumta që unë kam aty tash e sa vjet dhe lidhja ime me këtë profesion e angazhim. Sigurish edhe mësimdhënia e pianos”.
(Melihate Gashi)

Teuta Kurti: “Aya Më Ka Ndryshuar”