>
BIOSHQIP

KKRT: Klipi “High” Ka Shkelur Normat Morale

01-02-2012
Drejtoria e Programeve në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT) në Shqipëri, ka vizionuar videon "High", të Babastars, transmetuar në një stacion muzikor televiziv lokal dhe arrin në përfundimin se "përmbajtja, pamjet, koha e transmetimit, gjuha, gjestet dhe fjalori i përdorur në një pjesë të konsiderueshme të këtij videoklipi cenojnë të drejtat, edukimin dhe shëndetin moral e mendor të fëmijëve dhe moshave të reja".

"Në videoklip paraqiten të mbjella me lëndë narkotike ku bëhet thirrje për konsumimin e saj. Teksti i këngës bën thirrje për, konsumimin e "hashashit", dhe e paraqit një veprim të tillë, si një gjest për t'u marrë shembull. Në këtë këndvështrim, transmetimi i kësaj videoje ka shkelur normat morale dhe etike të transmetimeve televizive", thotë KKRT, raporton NOA.

Monitorimin, KKRT tha se e bëri "konform detyrave funksionale të parashikuara në ligj pas ankesave të shumta të mbërritura nga qytetarët".

Neni 36, i ligjit nr. 8410, datë 30.09.1998 "Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë", përcakton se: "Programet radiotelevizive publike dhe private respektojnë dinjitetin vetjak dhe të drejtat themelore të njeriut, … të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve…".

KKRT thotë se i tërheq vëmendjen dhe i bën thirrje subjekteve radio-televizive të tregohen të kujdesshëm, në paraqitjen e programeve të tyre. Gjithashtu, bën me dije se, për çdo rast do të merren masat për respektimin e normave morale e etike, konform ligjit në fuqi.
(noa)

KKRT: Klipi “High” Ka Shkelur Normat Morale