>
BIOSHQIP

Troja Ne Rock Am Ring

15-03-2012
Rock grupi kosovar "Troja" është në mesin e pesëdhjetë bendeve nga e gjithë bota që është duke "luftuar" në garën "Rock am Ring Band Contest 2012" nëpërmjet ueb-faqes ringrocker.com.
Festivali "Rock am Ring" është njëri nga festivalet më të popullarizuara që mbahen nën qiellin e hapur çdo vit në Nürburgring të Gjermanisë.

Edicioni i këtij viti do të realizohet midis datave një dhe tre të muajit qershor. "Rock am Ring" është themeluar më 1985 dhe që nga ajo kohë në skenën e tij kanë performuar rock grupet më të mëdha të skenës botërore, duke përfshirë edhe "U2", "Westlife", "Chris de Burgh" e shumë të tjera.

Përfshirja e "Trojës" në garën që siguron "vizën" për pjesëmarrjen në edicionin e njëzeteshtatë të këtij festivali, ka qenë krejt e rastësishme.

"Një fans i yni gjerman, i cili na ka njohur si grup muzikor përmes një shoku të tij shqiptar, ka aplikuar për ne, sepse i kemi pëlqyer", ka thënë Shabani për "Koha Ditore".

"Nga pesëdhjetë bende që kanë konkurruar do të përzgjidhen fillimisht pesë, të cilat do të performojnë në një eveniment më të vogël e prej aty do të përzgjidhen vetëm dy bende që do të kenë mundësi të performojnë në festival", ka shpjeguar ai.

"Nuk është ideja jonë që në kuptimin e plotë të fjalës të depërtojmë ndërkombëtarisht, por aty do të ketë shumë producentë që vijnë t'i dëgjojnë grupet e reja dhe nëse na ofrojnë diçka do të ishte e mirëseardhur".

"Tendenca jonë është të shpërndajmë muzikën tonë në një rrjet më të gjerë", ka shtuar rokeri.
(Telegrafi)

Troja Ne Rock Am Ring