>
LETERSISHQIP

Kosova Jonë

Ne sytë e tu, krahërorin tënd
vërej dhimbje, gjakderdhje të paparë
në ato dy gropëza qelibari
skalitur eshte dhunimi, vdekja, varfëria, sundimi shtazarak ndër brezat.
*
Kosovë, sytë e tu shpalosin tmerr të paparë
pasqyrojnë demonët shekullor
vargjet tona pandërprerë kujtojnë
shpatat, pushkët e sundueseve me gjakë shqiptari kurrë të ngopur.
*
Sot, në ato gropëza të fisnikërisë
pashë, ëndrrat e humbura të rinisë
dojnë të të braktisin
kthejnë shpinën
Kosovë, diç e tillë mos lejo të të ngjan!
*
Ç'të them Arbrit, Shpresës, Frymorit
ç'të them Atdheut tonë më se të dashur
si të skjaroj ç'ndodh sot, Kosova ynë e bukur
ku të gjej arsyetim, shkakun e largimit nga gjiri i përzemërt!?
*
Arbëri, fuqi hyjnore jeton në gjoksin tënd
e jona, Krijesa Tokësore e Posalindur
në Ty betohemi, në Ty besojmë pafundësisht
edhe më të fortë do kthehemi, me dijeni kemi për të të rindërtuar.