>
LETERSISHQIP

Bastardimi I Këngës Folkorike

Sigurisht se rreth kësaj teme, është folur, shkruar dhe komentuar shumë, por, siç thotë - fjala e urtë popullore, „Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha“, dhe duke u nisur nga ajo, se muzika është një element i pa shmangshëm në jetën tonë të përditshme, pa marrë para syshë se cilit zhanri i takon ajo. Por, më të bukura, më të dëgjuara, dhe më të dashura, janë këngët popullore dhe ato folklorike. Këto këngë, me shumë vlera artistike, janë kultivuar dhe kënduar, nga këngëtarë të mëdhenj të estradës, të ciliët nuk kanë qenë artistë vetëm në vepra, por, edhe në shpirt, që nga gjeneza dhe gjatë periudhave të ndryshme kohore, nëpër të cilat ka rrugtuar populli shqiptar. Shumë prej tyre sot, nuk ndodhen në mesin tonë, por, epoka që kanë lënë pas, dhe veprat e tyre madhështore ngelen të paharruara.

Këngët folklorike, kultivohen dhe këndohen edhe sot, nga këngëtarët dhe këngëtaret që jetojnë së bashku me krijimet e tyre, për të lënë gjurmë të pashlyeshme, te gjeneratat e reja, por, që këto të fundit, ta vazhdojnë aty ku do ta lënë paraardhësit e tyre, pasi këtë dhunti nuk e ka secili prej nesh, prandaj të mos lejojnë që pluhuri i harresës të mbulojë këngën e mirëfilltë shqipe, e cila tentohet të okupohet nga melodi të ndryshme që nuk i përkasin melosit burimorë shqiptar.

Këto këngë unike, fatkeqsisht, sot nuk e kanë vendin atje ku duhet, ato më shumë se një dekadë, përballen me shumë sfida, apo me virusë të ndryshëm. Njëri ndër virusët më të rrezikshëm është ai i ashtuquajturi këndimi, "Tallava", që në vete nuk përmban tekst me ndonjë domethënje, që të tërhjek vëmendjen, por, që krijohet aty për aty, me fjalët që përdoren më së shumti në çdo këndim, si; of - of - of, ose aman - aman - aman, e shumë të tjera, në të cilën nuk ka as një fije arti, por, që shumë individë nëpërmjet kësaj rryme kanë siguruar bukën! Pa dyshim, se këtu ndikon shumë edhe tendenca e dobët e një pjese bukur e madhe e publikut. Edhe pse thesari ynë burimorë, është shumë i pasur, disa (jo)këngëtarë, duke e këthyer artin në biznes, publikut nuk i ofrojnë kurgjë tjetër, por, vetëm shund dhe kiç, dhe në mënyrë vulgare i interpretojnë këngët popullore apo folklorike, duke marrë dhe përkëthyer tekste këngësh nga popujt tjerë që na rrethojnë, si nga sërbët, bullgarët, grekët, turqit etj.

Kjo rutinë, vazhdon rrugëtimin e vet, pa u kontrolluar nga askush. Ajo që na shqetëson më së shumti, është edhe këndimi pa cenzurë, duke përdorë fjalë banale, që nuk është aspak e pëlqyeshme as e pranueshme në shoqërinë tonë. Në këtë rast, kompozitorët, producentët, por, edhe këngëtarët, nuk duhet të lejojnë realizimin, dhe aq më pak publikimin e një kënge pa i pasur të gjitha kriteret e duhura artistike. Është plagjiate, edhe veprimi i disa individëve të pa ndërgjegjshëm, që për shumë tekste këngësh të shkruar nga kantautorë të vërtetë, bëhen autorë të tyre, dhe kinse bëjnë diçka më mirë, ua ndryshojnë shumë fjalë, duke i zëvendësuar me fjalë zhargoni, dhe kështu këngës së mirëfilltë, i humbet sensi në tërsi. Pastaj, duke menduar se do të del më mirë se origjinalja, ose mendon se këngën e vjetër burimore, do ta modernizojë, duke e konvertuar në zhanre të ndryshëm, si në hip - hop, rep, e tj. Madje disa shqiptarë me pseudonime të huaj, në vend se të këndojë në gjuhën amtare, dhe të pasurojnë edhe më shumë thesarin tonë, duke menduar se janë ata që nuk janë, mundohen të këndojnë në gjuhën angleze. Kuptohet se

nuk i mohoet e drejta e këndimit askujt, por, pse të lihet anësh kënga shqipe?!

Meqenëse dasmat nuk bëhen pa këngë dhe valle, vlen të theksohet edhe sjellja e disa këngëtarve në dasma apo ahengje familjare. Zakonisht pronarët e dasmave, në ditën më të lumtur të jetës, për disponimin e të pranishmive, ftojnë këngëtarët e tyre të preferuar, edhe pse i paguajnë me çmime astronome, shumicën prej tyre nuk i vret fare ndërgjegjja, duke e keqpërdorë dobligimin që kanë ndaj dasmorit. Në vend se të bëjnë muzikë të gjallë, dhe të krijojnë një atmosferë sa ma të hareshme, ata me ndihmën e kompakt disqeve, përdorin mënyrën e këndimit "Playback", për të kursyer sa më shumë kondicion që u duhet për dasmat e radhës, dhe këtë lloj apatie e përdorin githmonë dhe kudo në ambiente të tilla familjare, kuptohet aty ku u jepet mundësia! Gjithashtu duhet përmendur edhe një fenomen tjetër që sa vjen e rritet. Jo, të gjithë djemt apo vajzat e këngëtarëve dhe këngëtareve, janë edhe këngëtarë të mirë, por, në krah të prindit këngëtar, mundohet të bëhet i famshëm dhe ekonomikisht të përfitojë nga rasti! A është gabim ose jo, që trashëgimtarit t`i imponohet ajo për të cilën nuk është i lindur, ata e dijnë shumë mirë, por...

Vlen të ceket se përveç mëkateve që i bëhen këngës popullore, shumica e këngëtareve të reja, gjatë xhirimeve të vidoklipeve, keqpërdorin edhe mozaikun e veshjeve të bukura kombëtare, pa marrë para syshë se cilës treve i takojnë ato, duke u xhveshur, respektivisht shkurtuar sa më shumë. Organet kompetente duhet urgjentisht të marrin masa të rrepta për të ndalur këto fenomene, për ndryshe në të ardhmen do të ketë pasoja katastrofale. Ato që këngët i sjellin nëpër shtëpitë tona, janë shtëpitë radio - televizive. Disa prej tyre, gjatë transmetimit të programeve muzikore, duhet më shumë të përkushtohen te krijimet e reja artistike të këngëtarëve, se sa për dasmat e tyre, se cila sa ka kushtuar, kush ka marrë pjesë, apo kush çka u ka dhuruar, gjë që në shumë raste e kanë tepruar, pasi nuk është fare e nevojshme për publikun! Sa u takon vlerave kulturore kombëtare, dalë nga dalë vijnë duke u zhdukur. Me ikjen e këngëtarëve të vërtetë në botën e amshimit, përveç evoluimit të këngëve burimore, edhe veglat muzikore tradicionale, çiftelija dhe sharkija, lihen anësh dhe aq më pak përdoren për të kënaqur shpirtin e dashamirëve të artit, të cilëve u mbetet vetëm të kujtojnë nostalgjinë kulturo - artistike. A thua vallë do të ndalet ndo një herë kjo rrëmujë.?! Sipas statistikës, sot për sot, nuk ka shenja që të japin shpresë.
Kërçovë, më 20 shkurt 2018