>
LETERSISHQIP

Intervistë Me Rapsodin Afmet Spahiu (Meti)

Kur flasim për artin kërçovar, duhet ta kemi para sysh se bëhet fjalë për një fushë të gjërë artistike, e cila është shumë e pasur me këngë valle dhe humor, por, jo vetëm. Ky art përveç tjerash identifikohet edhe me këngët arkaike autoktone polifonike. Këto këngë të bukura trizërshe, rrënjët i kanë shumë të thella në tokën e Uskanës së lashtë Ilire. Por, kjo nuk donë të thotë se kjo fushë ka lënë anësh zhanret tjera muzikore, përkundrazi, ajo kultivon vazhdimisht vallet autoktone si dhe këngët popullore dhe ato folklorike.

Ky art i ka bartësit e tij, që e mbajnë mbi supe. Midis tjerish një shtyllë e forë është edhe veterani i folklorit, rapsodi Ahmet Spahiu, i cili më mirë njihet me pseudonimin - METI. Për të mësuar më shumë në lidhje me këtë, dhe për karrierën e tij gjysëm shekullore, në oborrin e shtëpisë së tij, që i ngjante një lulishtje, dhe duke thithur aromën e këndshme të trëndafilave, biseduam me doajenin kërçovar, Afmet Spahiun - METI.

VAHIT NASUFI: Z. Spahiu, shumë faleminderit që pranuat të jeni bashkëbisedues i yni, në fillim për lexuesit e Zemrës Shqiptare, a mund të na tregoni kush është Afmet Spahiu - METI?

AFMET SPAHIU: Patjetër! Por, para se t`ia filloj, deshta t`ju falenderoj edhe unë juve, që keni ndarë një pjesë të kohës suaj, që kësaj radhe si bashkëbisedues më keni zgjedhur mua, për të shpalosur veprën time në cilësinë e këngëtarit. Për ta ndier veten i nderuar, dhe për të qenë privilegj, siç jam unë tani, duhet të intervistohesh nga Zemra Shqiptare, të cilën e lexoj rregullisht. Unë jam i lindur më 02 mars 1940, në fshatin Cërvicë të Kërçovës. Si vegël të preferuar muzikore kam çiftelinë. Në vitet e arta të rinisë jam marrë edhe me sport, saktësisht me atë të mundjes, prej të cilit jam ndarë shumë i kënaqur, pasi kam pasur një karrierë të suksesshme sportive.

VN: Sigurisht se jemi kurioz të dijmë pak a shumë për fëmijërijnë tuaj?

AS: Në kohën kur unë isha fëmijë, familjet shqiptare jetojshin në varfëri, por, jo të gjitha. Në ato kushte që ishin ashtu siç ishin, unë si fëmijë mund të them se isha i lumtur në mesin e familjes dhe shoqërisë sime.

VN: Pse pikërisht si vegël muzikore zgjodhët çiftelinë?

AS: Unë çiftelinë e kam trashëgim nga i ati im Hajdari, i cili ka qenë një rapsod shumë i mirë. Ai mua dhe vëllait tim Rahitit, çiftelinë na e ka imponuar qysh kur ishim fëmijë, e cila hyri thellë në zemrën time, për të mos dalë prej saj, edhe sot e kësaj dite. Djepi i familjes sime, ka përkundë edhe shahira tjerë shumë të mirë, si Hatemi, Shehiu, Mefmeti edhe Saliu, të gjithë me mbiemrin Spahiu. Ndërgjegjja nuk më lejon, pa i përmendur edhe dy këngëtarët e mëdhenj të fshatit tim, Shefik Ballazhin dhe Abdulla Xhambazin, të cilët sa herë dhe kudo që këndojshin, edhe pse unë isha shumë më i ri, ata më merrshin mua që t`i shoqëroj me çifteli, dhe pa dyshim, ata kanë një meritë të madhe për suksesin tim, pasi jam frymëzuar shumë prej tyre. Fshati Cërvicë ka pasë dhe ka edhe shumë këngëtarë tjerë, por, që është e pa mundur të përmenden të gjithë.

VN: Po zërin e ëmbël melankolik, mendoni se e keni trashëgim familjarë, apo dhunti nga Zoti?

AS: Kuptohet, se zërin ma ka falë Zoti, por, nëse them se e kam edhe trashëgim familjarë mendoj se nuk gaboj!

VN: Kur i ndërmorët hapat e parë të karrierës suaj shumë të suksesshme?

AS: Unë për herë të parë, para publikut jam paraqitë në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare pra, në vitin 1955, mora guximin të këndoj midis burrash që nuk e kisha lehtë fare, por, që ia dola të shpërblehem me duartrokitje të shpeshta! Në atë kohë në Kërçovë, ashtu si edhe në viset tjera shqiptare, nuk kishte shoqëri kulturo - artistike, as grupe muzikore, kështu që unë, vllai im Rahiti, edhe ai me çifteli, Mersim Cupi, me fyell, Shukri Reçku, me def, (përndryshe i ati i këngëtarit DULI), dhe humoristët Habib Vrangalla dhe Abdulla Dauti - DULI, formuam një grup muzikor i cili u prit jashtëzakonisht mirë nga mbarë treva kërçovare.

VN: Keni kënduar shumë këngë të ndryshme, cilat këngë i pëlqeni më shumë nga repertori juaj?

AS: Unë këngët i dua të gjitha, pa marrë para sysh a i kam kënduar unë apo dikush tjetër, por, pak më shumë i dua këngët tradicionale, ato me tematikë patriotike, këngët që në vete kanë një histori ose që tregojnë ndo një ngjarje interesante. Në këtë rast kisha përmendur këngën e Imer Agës, ate të Mefmet Begut, të Veselit Ri, këngën e Flamurit, këngën e Ballit Kombëtarë, dhe shumë të tjera, për fat të mirë thesari muzikor shqiptar është i pasur me këngë shumë të mira.

VN: A mund të na thoni, sa i keni kënduar këngët sa të vjetra, aq edhe të bukura polifonike autoktone kërçovare?

AS: I kemi kënduar edhe ato, por, ne kryesisht kemi kënduar në zhanrin folklorik. Kënga polifonike kërçovare, është pak sa e rëndë për ta kënduar, ate e këndojnë vetëm këngëtarët kërçovarë. Kolosët që janë dalluar për interpretimin e saj kanë qenë: Kamerr Bllaca, Lati Kaleshe, Hatem dhe Sefë Dedja dhe shumë të tjerë. Më vjen shumë keq, por, që duhet ta them se kohën e fundit interesimi për këto këngë të bukura ka ra shumë. Aktualisht origjinalen e saj përveç tjerish e ruajnë, Vebi Haziri, Nasuf dhe Shefki Jusufi, Vëllezërit Dervishi, të cilët e këndojnë me një mjeshtri shumë të rrallë!

VN: Kam pas fatin t`ju dëgjoj disa herë duke kënduar nëpër oda, si ndiheshit në mesin e gjithë atyre burrave?

AS: Që këtu dua t`i falenderoj të gjithë ata që na kanë adhuruar dhe na kanë ftuar, që në ditën më të lumtur të jetës së tyre, na kanë zgjedhur neve si grup, apo si këngëtarë të preferuar, por, edhe ne jemi munduar që të krijojmë atmosferë sa më të mirë, që të ndahen të dyja palët të kënaqura. Ka ndodhë shumë herë, që nga atmosfera impozante, të na zbardhë drita duke kënduar, dhe kur na thojshin ju lumtë goja, atëherë edhe ne ishim shumë të lumtur.

VN: Sa keni qenë të kërkuar jashtë trevës kërçovare, z. Spahiu?

AS: Edhe jashtë Kërçovës kemi qenë shumë të kërkuar, nëpër dasma apo manifestime të ndryshëm. Ka pasë shumë raste që dasma të shtyhet nga dita e caktuar, për shkak se ne nuk kemi qenë të lirë për të marrë pjesë si grup muzikor, por jemi munduar shumë që të zbatojmë çdo kërkesë, dhe të plotsojmë çdo dëshirë, aq sa kemi pasur mundësi.

VN: Keni kënduar në vende të ndryshëm, a mund të na thoni çka j`u ka dhënë kënga juve?

AS: As kënga neve nuk na ka mbetur borxh, nëpërmjet këngës kemi zgjëruar shoqërinë, kemi rritë autoritetin tonë, kemi krijuar famë të lartë, por edhe materialisht kemi kaluar shumë mirë, gjë që nuk mund të ankohem aspak.

VN: Shumë këngëtarë krahas këngës kanë pasë prirje edhe për humor, juve u ka shkuar për dore humori?

AS: Unë jam dashamirë i madh i humorit, por, jo dhe humorist i mirë. Ne në grup kishim dy humoristë shumë të mirë, gjë që nuk kishte nevojë që edhe unë të bëj humor, por, ka pasë raste që kam treguar ndonjë ngjarje komike!

VN: Kuptohet se ka shumë, por, na thuani disa emra të këngëtarve, që sipas jush kanë lënë pas gjurmë të pashlyeshme?

AS: Hëmmm, sa pytje e vështirë kjo, jo që nuk dua të përgjigjem, por, nuk është aspak e pëlqyeshme, që dikujt t`i përmendet emri, e dikujt jo, por, nëse insistoni...?

VN: Po, po, insistojmë, duam të dëgjojmë mendimin tuaj?

AS: Atëherë, dueti legjendar Sali dhe Feriz Krasniqi, Qamili i Vogël, dueti tjertër poahtu legjendar Hashim Shala dhe Tahir Drenica, Aziz Ndreu, Shyqëri Alushi, Sali Mani, Fitnete Rexha Vaçe Zela, Bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha, Hanife Sejfullah Reçani, Rexhep Zajazi etj. Ndër mend më sillen edhe shumë këngëtarë tjerë, që emrat e tyre janë skalitur në zemrën time, kërkoj ndjesë prej të gjithë atyre që nuk ua thash emrat.

VN: Z. Spahiu, na thoni, sa ishin të interesuara shtëpitë Radio - Televizive, të asaj kohe, për t`u ofruar dëgjuesve apo shikuesve, programe muzikore?

AS: Edhe atëherë interisimi ishte shumë i madh, por që programet në gjugën shqipe ishin me një minutazhë shumë të shkurtër. Ajo, që nuk duhet lënë anësh, është puna e madhe e etnografit Prof. Dr. Shefqet Pllana, i cili bënte përmbëledhjen e këngëve dhe valleve nga të gjitha trevat shqiptare, Shefqeti, në vitin 1970, erdh edhe këtu në Cërvicë, i cili edhe prej nesh bëri ca inçizime, ku përparsi kishin vallet autoktone tipike kërçovare, si vallja e Bilbilave, vallja Dibrane, ajo e Krajvaroshes, vallja e Patrunës, dhe shumë të tjera. Këtu duhet të ceket se këto valle me motive kërçovare, janë origjinale kur i luajnë burrat, të përcjellura me dy lodra dhe dy cule. Ne këto valle i kemi interpretuar në verzionin instrumental.

VN: Ju me vepër e keni dëshmuar se jeni një mjeshtër virtuoz i çiftelisë, më kujtohet shumë mirë, kur ish - Radio Prishtina, programin e mëngjesit e fillonte me një melodi me çifteli, të ekzekutuar vetëm prej jush, si ndiheshit kur dëgjojshit zërin e bukur të çiftelisë suaj, nëpërmjet valëve të Radio Prishtinës?

AS: Hë, (qesh), është shumë e vërtetë, se Radio Prishtina e atëhershme, në një periudhë të gjatë kohore hapte programin e mëngjesit, i cili fillonte në orën 05. 00, me një melodi me çifteli të cilës i rashë unë vetë. Unë i kam dhe i ruaj inçizimet e atëhershme, dhe t`ua them të drejtën, kur spikeri i radios e thoshte emrin dhe mbiemrin tim, ndihesha shumë krenarë dhe shumë i lumtur. Më vonë na kanë ftuar edhe në Radio Tiranë, atje inçizuam ca këngë burimore kërçovare, të cilat shumë shpesh transmetoheshin gjatë programeve muzikore, Ju e dini se n`atë kohë nuk kishte shumë kanale radio - televizive në gjuhën shqipe.

VN: Supozojmë se keni ndonjë ëndërr të pa realizuar, nëse po, cila është ajo?

AS: Sigurisht se ëndrra e pa realizuar e çdo shqiptari, është ajo e bashkimit kombëtarë, për të cilën ëndërr, në vitin 1975, nga regjimi i atëhershëm i ish Jugosllavisë jemi burgosur, me pretekst se kemi kënduar këngë nacionaliste apo iredentiste siç i quajshin ata, sidomos më shumë akuzoheshim për këngët e Flamurit, dhe të Ballit Kombëtarë. Pas daljes nga errësira, ne ishim vazhdimisht të përcjellur, se çfar këngësh do të këndojshim në të ardhmen, megjithatë ne vazhduam aty ku e lam, por, që ishim pak më të kujdesshëm, të mos biem përsëri pre e regjimit të lartpërmendur!

VN: Ju çiftelinë e keni trashëguar nga i ati Hajdari, na tregoni, a ka dikush nga brezat e ardhshëm të familjes suaj, që do të ndjekë të njëjtën rrugë si të parët e tij?

AS: Dëshira ime është shumë e madhe, që të mos jem unë këngëtari i fundit në familjen time. Shpresa ime është shumë e madhe, që dikush nga familja Spahiu, të vazhdojë aty ku do ta lënë paraardhësit e tij, kështuqë çiftelia të tingëllojë, dhe kënga të jehojë.

VN: Z. Spahiu, Ju si veteran i folklorit, me një përvojë shumë të madhe, cila do të ishte porosia juaj për pasardhësit këngëtarë?

AS: Unë të gjithë këngëtarve dhe këngëtareve u dëshiroj shumë sukses, por, që të arrijnë deri te ai, duhet shumë të punojnë, të mos kopjojnë muzikë të huaj, të mos huazojnë tekste këngësh të huaja, të mos bëhen autorë tekstesh të këngëtarve tjerë, gjë që është plagjiate. Le të këndojë kush çka të dojë, por, folklorin apo këngën e bukur popullore shqipe, të mos e lënë anësh, se për ndryshe le të jenë të bindur, se kurrë nuk do ta arrijnë kulmin e suksesit gjatë karrierës së tyre.

VN: A do të na thoni në pika të shkurtëra, kush janë Cërvica dhe Kërçova për Ju?

AS: Cërvica, është fshati ku kam lindë dhe jam rritë, aty mësova shkrim dhe lexim, nga e cila ruaj në zemër shumë kujtime, Më vjen shumë keq për mërgimtarët, por, jo vetëm të këtij fshati, që i djeg malli për vendlindjrn e tyre shumë të dashur. Fshatin tim, nuk do ta kisha ndërruar me asnjë vend tjetër në botë, për mua është më i miri. Edhe për Kërçovën kisha thënë gati të njejtat fjalë, është qyteti im që e dua shumë. Nuk e di a ka ndonjë lagje apo fshat të saj, që nuk kam kënduar. Edhe Kërçova apo Uskana, si të doni, për mua është më e mira!

VN: Sigurisht se ka mbet edhe shumëçka pa u thënë, por, para se ta mbyllim këtë intervistë, keni diçka të shtoni?

AS: Sigurisht se një karrierë gjysëm shekullore, nuk mund të përshkruhet pa e përfëshijë në një libër me shumë faqe. Si do që të jetë, për fund, nga zemra i përshëndes të gjithë adhuruesit e mi, të gjithë lexuesit e Zemrës Shqiptare me stafin e saj në krye, dhe gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, kurse juve, edhe një herë shumë faleminderit që mundoheni të më sjellni më afër atyre që më pak më njohin. U përgëzoj për punën që jeni duke bërë, pasi në këtë faqe elektonike, prej jush, kam lexuar edhe për legjendën e këngës polifonike kërçovare, Latin e Kaleshe, për Bilbilat kërçovarë, Vëllezërit Devishi etj. Shpresoj se nuk do të ndaleni këtu. Më vjen shumë mirë që mundoheni të mos harrohen këngëtarët apo artistët kërçovarë, dhe të mos zbehet melosi burimor kërçovarë.

VN: Jo, jo, Z.Spahiu, të jeni të sigurtë, se kurrë nuk do t`i harrojmë artistët apo yjet e mëdhenj, që me rrezet e tyre të arta artistike, gjithmonë e kanë ndriçuar fushën e muzikës apo estradën shqiptare. Shumë faleminderit edhe prej jush, për përgjigjet e sinqerta, për nderin dhe mikpritjen e ngrohtë shqiptare.
Kërçovë, shtator 2017