>
LETERSISHQIP

Kur Shkon Vasha Nuse

Një bilbil sa mirë këndon,
Për një vashë që nuse shkon,
Mbaroi jetën e beqarisë,
Fillon jetën e nusërisë.

Ishte e lumtur jeta e vajzërisë,
Tani lamtumirë i them shtëpisë,
N`shtëpinë time do t`vijë shpesh,
Por, kur t`vijë do t`jem mikeshë!

I shkojnë lotët vashës si krua,
Nënë e dashur, mbete pa mua!
Babë e nënë, vëlla e motër,
Unë s`do t`ulem me ju në sofër!

E pyet nëna bukë a don?
Jo, moj nënë mendja s`më shkon!
Më digjet shpirti, s`mund ta shuaj,
Unë prej sot bëhem e huaj!

E stolisin për ditën më të lumtur,
Që t`bëhet nuse sa më e bukur!
Është kjo dita që kurrë s`harrohet,
Sa t`jetë gjallë do t`i kujtohet!

N`shtëpi t`dhëndrrit këngët jehojnë,
Të marrin nusen krushqit shkojnë
Shkojnë t`marrin me shumë vetura,
Të rinj e të reja, gra e burra.

Afër shtëpisë kur janë afruar,
Bijnë sirenat pa pushuar,
Babai i nuses u del përpara,
Mirë se erdhët, u priftë e mbara!

Kanë hy krushkat në oborr,
Hedhin valle me mindila n`dorë,
Sipas traditës, siç është adet,
Nusja del dhe i përshëndet.

U del nusja me duvak,
Me ngjyrë t`kuqe porsi gjak,
Dikush duvakun ia zbulon,
Si yll drite - thonë nusja jonë!

Kur erdh koha që të shkojë,
Nëna nisi ta ledhaatojë,
Nëna ty sot të marton,
Por, bijë t`ka nëna për gjithmonë.

Motra - motrën e përqafon,
Deri n`qiell, zër u shkon!
Shumë e dashur motra ime,
Të priftë fati me shumë gëzime!...

Vëllai, t`motrës kur është afruar,
Si rrëke lotët u kanë shkuar!
I hidhet motrës në përqafim,
Oh, vëllai i motrës o shpirti im!...

Kaloi pragun u ndal në shkallë,
Përcjellsit n`grykë i ka marrë,
Rrugë të mbarë i kanë uruar,
Jetë t`lumtur i kanë dëshiruar.

Babë e bijë përshëndeten,
Lotët, si sumlla mbi tokë mbeten!
Edhe pse baba sot të marton,
Ti do t`jeshë prapë gjaku jonë.

Vetura niset dalë nga dalë,
Vetë me vete - thotë dy fjalë,
Prej familjes sot jam ndarë,
Për mua është kjo vdekja e parë!

Kështu ka bë emër Perëndia,
Që çdo femër të dalë nga shtëpia,
Me lot vajzat ne i martojmë,
Por, nuk janë lot që përvëlojnë!
Kërçovë, prill 2019