>
LETERSISHQIP

Prindërit E Vetmuar

Vëllezër e motra të gjakut tim,
Ju që fëmijët i keni n`mërgim,
Prej të gjithëve ndjesë kërkoj,
Nëse dikë e shqetësoj!

Kurrë nuk kam për ta harruar,
Kur jetonim të bashkuar,
Ishim të lumtur dhe të gëzuar,
Nuk ishim fare të përmalluar!

Në punë shkonim të gëzuar,
Fëmijët në shkollë për të mësuar,
Na kënaqej shpirti si prindër të dyve,
I kishim fëmijët para syve.

Kur vinte koha për t`i martuar,
Sipas traditës kemi vepruar,
Nuse t`mira kemi marrë,
Martonim vajzat me djem bujarë.

Për çdo vjet familja shtohej,
Me nipa e mbesa shtëpia gëzohej,
Gëzim më t`madh për ne s`kishte,
Kur u bëmë gjysh e gjyshe!

Por, ajo kohë iku shpejt,
Situata ndryshoi krejt!
Djem e vajza shkuan n`kurbet,
Morën me vehte fëmijët e vet.

Hije t`keqe ka marrë shtëpia,
Mbet pa djem dhe pa bija,
Për ne të dy u bë shumë keq,
Mbet shtëpia me dy pleq!

Për nipa e mbesa zemra na digjet,
Me zë thërrasim, askush s`përgjigjet,
S`na ngroh diell, s`na ndrit hënë,
S`na thirrë kush as babë as nënë!

Na del gjumi sytë i çelim,
S`kemi kë të përgëdhelim,
Na dridhen buzët neve nga malli,
Na u dogj shpirti për së gjalli!

Sofra dikur me njerëz plot,
Për dy pleq shtrohet sot!
Bukën ne e njomim me lot,
Deri kur kështu o Zot?

Kur vjen koha t`vijnë n`pushim,
Ne i presim pa durim,
Kur vjen koha që të shkojnë,
Ditët syhapur na agojnë!

Bijë e bija kudo që t`shkoni,
Gjuhën shqipe mos e harroni,
Ju mërgimtarë kudo që t`jeni,
Vendlindjes shpinën mos ia këtheni.

Kërçovë, mars 2020