>
BIOSHQIP

Valbona Mema: Nuk Lodhem Kurrë

30-01-2012
Që në telefonatën e parë është e gatshme për të biseduar dhe për të realizuar një intervistë. E veshur sportive, pa makiazh, përshëndet dhe të fton të pish një kafe në shoqërinë e saj. Menjëherë sapo e shikon hedh poshtë të gjitha ato dyshimet që mund të ketë një njeri përpara se ta takoj, të tilla si: çfarë të vesh apo çfarë të them. Pasi shkëmben fjalët e para me këngëtare Valbona Mema, kupton se pranë vetes ke një njeri të cilin duket sikur ke kohë që e njeh dhe është mikja jote më e mirë.

Si ishte viti i kaluar për ju?

I lodhshëm, shumë udhëtime jashtë vendit, por njëkohësisht edhe shumë kënaqësi.

Cili ishte momenti më i bukur i vitit që lamë pas?

Kam pasur shumë momente të bukura. Për mua çdo moment është i bukur. Nata e Vitit të Ri ishte e bukur, por edhe e trishtuar sepse isha larg familjes. Megjithatë viti 2012 më gjeti duke kënduar.

Natën e ndërrimit të viteve ishit në Amerikë me Majën dhe Bujar Qamilin. Si ishte atmosfera?

Ishte një treshe e gjetur. Maja është artiste dhe shoqe shumë e mirë, ndërsa Bujari ka shumë vlera si njeri dhe si artist. Ishte një ndërthurje thjesht fantastike.

Kur festuat me familjen?

Pasi u ktheva nga Amerika. Fëmijët më kishin përgatitur një surprizë. Kishin përgatitur gjelin dhe e kishin shtruar tavolinën. Ata e dinë që tavolina duhet të jetë plot edhe kur nuk jam unë. Megjithatë, ndihem shumë keq që asnjë vit nuk kam festuar pranë tyre.

Çfarë marrëdhënie keni me fëmijët?

Shumë të mirë. Jemi shumë të lidhur. U kam premtuar dashuri të përjetshme. Nuk do t'i zhgënjej kurrë.

Fëmijët ju shoqërojnë gjithmonë në koncerte?

Jo.

Çfarë moshe kanë?

Janë adoleshentë.

Ka ndonjëri talent për muzikë?

Fakti që dy prindërit janë artistë nuk do të thotë që edhe fëmijët të jenë të tillë. Ata kanë prirje të ndryshme nga ne. Kanë zgjedhur drejtësinë.

Përse fëmijët i keni mbajtur larg medias?

Kam dashur që të mos jenë në shtypin e përditshëm. E para për të mos i kushtëzuar dhe e dyta sepse dua të ruaj privatësinë e familjes sime.

Përveç fëmijëve, a është dikush tjetër në jetën tuaj?

Jo. Asgjë të re. Kam shumë detyra dhe ajo është e fundit për mua.

Jeni shumë aktive në koncerte, por edhe në dasma. Ndiheni ndonjëherë e lodhur?

Po, por ndihem edhe e kënaqur. Edhe kur pushoj nuk më besohet. Jam shumë e lidhur me punën time.

Ç'do të thotë për ju të këndoni "live"?

Profesionalizëm. Një këngëtar në studio nuk mund të japë kurrë atë emocion që i jep publikut kur këndon "live". Publiku më jep emocione të forta, ndërsa kufjet në studio i kam fobi. E kam të vështirë të ambjentohem me studion, kufjet dhe më pas të këndoj.

Çfarë emocioni të përcjell të kënduarit në dasma?

Nisem nga një thënie e artistes të madhe Fitnete Rexha, të cilën e kam idhull dhe jam konsultuar me të për shumë gjëra (para se të vdiste): publiku i dasmave është shumë i afërt dhe të vlerëson shumë. Dasma për mua është si një koncert.

Thuhet që në dasma fitohen shumë para. Sa fiton Valbona?

Vlerën nuk e them. Por prej tre vitesh kam një çmim fiks dhe deri tani jam e kërkuar. Fitimet janë të mëdha, por edhe lodhja është e madhe.

Cili koncert ishte më i veçanti për ju?

Koncerti im recital që kam zhvilluar. Nuk marr dot guximin të organizoj një tjetër recital, sepse e di që nuk realizohet më si ai i pari.

Përse nuk mund të realizohet?

Sepse nuk janë të njëjtët bashkëpunëtorë. Me këtë rast dua t'i përcjell një mesazh ish-bashkëpunëtorit tim. Ne kemi një thënie "Mosmirënjohja nuk pranohet". Artisti duhet të jetë në radhë të parë njeri. Të mos harrojë se si erdhi deri aty ku është dhe të falenderojë bashkëpunëtorët pavarësisht situatave që mund të krijohen.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Të realizoj një koncert në stadium dhe të jetë falas. Dhe do ta realizoj së shpejti. Të gjithë publikun që më ka mbështetur dua ta ftoj në një sofër të madhe timen dhe t'u them faleminderit. Faleminderit që më keni mbështetur, uruar, gjykuar dhe kritikuar. Faleminderit për duartrokitjet tuaja, sepse pa ju nuk do të isha këtu ku jam.

Si ju presin bashkatdhetarët ?

Me shumë mall dhe respekt. Pranë tyre ndihem sikur i njoh prej kohësh. Ata kanë shumë mall për muzikën dhe për gjithçka që përmbledh fjala Shqipëri.

A ka pasur raste kur janë anuluar koncertet?

Vetëm një. Jam penduar shumë sepse arrita vonë në aeroport dhe nuk munda të shkoj koncertin e planifikuar. Më pas i kam kërkuar ndjesë publikut që më priste.

Sa dhe si kujdeseni për zërin?

Asnjë trajtim. Vetëm ujin e ftohtë nuk e ndaj dimër dhe verë. Nuk abuzoj me duhanin dhe alkoolin.

A janë të mërzitshme udhëtimet për ju?

Nganjëherë. Kur janë shumë, sepse kam edhe pak frikë avionin.

Nga reportori juaj muzikor cilën këngë do të veçonit?

Baladën të cilën ia dedikova bashkëshortit "Brenga e shpirtit". Kjo këngë ka prekur të gjithë shqiptarët, nuk është vetëm brenga e shpirtit tim, por edhe e gjithë atyre që kanë humbur njeriun e dashur.

Sa vëmendje i kushtoni pamjes?

I kushtoj shumë vëmendje, por nuk kaloj shumë kohë në parukieri. Është kulturë për çdo femër, sidomos për artistin.

A shpenzoni shumë për të? Popër flokët?

Jo nuk shpenzoj shumë. Jam shumë natyrale por skenën e respektoj.

Keni parukier personal?

Kam një staf që kujdeset për pamjen time. Jap edhe unë idetë e mia, por kryesisht mendon stafi. Tek emisioni "Histori Dashurie" parukierja më vuri një perde në fytyrë që të mos e shikoja se ç'po bënte, dhe më preu flokët. Kur e pashë në fund më pëlqeu ai ndryshim. Më dukej sikur isha si 15 vite më parë. Megjithëse jam kthyer me flokë të shkurtra, po pres me padurim të zgjas flokët! Floku i shkurtër është ekstragavant. Më përshtatet më shumë floku i gjatë. Edhe me muzikën popullore shkon më shumë.

Është thënë që stili juaj i të veshurit është i njëjtë si në jetën e përditshme, edhe në skenë…

Nuk është e vërtetë. Në jetën e përditshme jam shumë sportive.

Cili është këngëtari juaj i preferuar?

Devis Xherahu. Më pëlqen tempi, mënyra se si komunikon me publikun… Ka lindur artist.

Si e alternoni punën me familjen, a gjeni kohë për të dyja?

Gjej gjithmonë kohë për familjen.

Sa kohë i kushtoni familjes?

I kushtoj shumë kohë. Madje kam edhe një qen të cilin e nxjerr shëtitje. Jam një amvisë e mirë, gatuaj dhe kujdesem për çdo gjë në shtëpi. Kur nuk kam punë, gjithmonë jam pranë familjes, jam shumë e lidhur pas saj.

Cili është gatimi i preferuar?

Ditën e diel gjithmonë përgatis pulë dhe pilaf. Edhe kur nuk jam unë, fëmijët e gatuajnë vetë. Në çdo drekë gatuaj supë.

Fëmijët dinë të gatuajnë?

Po. Gatuajnë të dy. Por edhe unë i lë ushqimet gjysmë të gatshme. Jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kush ka më shumë kohë, gatuan edhe për të tjerët. Ndihem shumë mirë kur kthehem nga puna dhe e gjej tavolinën të shtruar.

Cili është njeriu më i rëndësishëm në jetën tuaj?

Dy fëmijët e mi.

Cili është ai njeri të cilit ju i besoni çdo sekret?

Motra.

A ka diçka që ju ka ngelur peng?

10 vite mbijetesë, duke u përballur me të mirën dhe të keqen… humbja e bashkëshortit tim.

Çfarë ju mërzit?

Gënjeshtra. Ai që gënjen, i bën të gjitha. Këtë ves nuk duhet ta ketë askush.

Cila mendoni se është pika juaj më e fortë?

Më karakterizon durimi. Duroj shumë. Arrita të njoh të mirën dhe të keqen vetëm (pa bashkëshortin). Ndoshta jam bërë më e fortë seç duhet.

Si do ta përshkruaje jetën tënde me një fjali?

Nga një dashuri ëndërr, në një mbijetesë.

Nëse do të ishte e mundur të kishit një gomë, çfarë do të fshinit në jetën tuaj?

Vetëm një datë, në të cilën u lëndova shumë, 24 dhjetor 2001, vdekja e tim shoqi.

Çfarë duhet të bëjë një njeri që Valbona ta urrejë?

Nuk urrej askënd. Dikush që më lëndon, thjesht e harroj.

Cilat janë planet tuaja për këtë vit?

Momentalisht po përgatis një këngë hit. I kërkoj ndjesë publikut që gjatë dy viteve nuk kam qenë në skenë. Do të jetë një bashkëpunim me një këngëtar të njohur shqiptar, por që dua ta lë surprizë.

Popërsa i përket dasmave, muajt e verës janë rezervuar që tani?

Po, i kam të rezervuar.

Cila është motoja juaj?

Asnjëherë nuk duhet të them u lodha. Kam detyrë shumë të madhe në jetë: jam vetë burrë dhe grua.

Çfarë mesazhi do t'u jepni dashamirësve?

Dua t'i falënderoj që më kanë mbështetur. Kur të realizoj ëndrrën time: koncert në stadium, do t'u them faleminderit për gjithçka. Pa ju, nuk do të isha këtu ku jam.
(Albina Hoxha Gazeta Shekulli)

Valbona Mema: Nuk Lodhem Kurrë