>
BIOSHQIP

Valbona Mema: Tallavaja Po Prish Tabanin E Këngës Popullore

20-08-2012
Në këtë rrëfim për "Sh.F" në këto ditë të nxehta gushti këngëtarja e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme, Valbona Mema, flet për një temë që këngëtarët e tjerë në përgjithësi duan ta shmangin… pjesëmarrjen në dasma. Vetë Valbonën, mezi e kapëm, pikërisht për shkak të…dasmave. Një herë ajo është pjesëmarrëse në mbrëmje dhe më pas në drekë. Por Valbona është e vetëdijshme për diçka: që muzika tallava që po këndohet rëndom në festa, po prish tabanin e muzikës popullore. Një pjesë e madhe e njerëzve, përfshirë të rinjtë, kohët e fundit janë duke u dhënë shumë pas kësaj muzike, dhe kjo nuk i pëlqen këngëtares së njohur. Valbona, ju këndoni nëpër dasma? Po, sigurisht. Atmosfera e dasmave është vetë një moment gëzimi për të gjithë, njerëzit argëtohen pa fund dhe ndihem mirë kur zëri im bëhet pjesë e kësaj atmosfere shumë të bukur. Ju pëlqen që të merrni pjesë nëpër dasma, apo kjo gjë është kthyer tashmë në një domosdoshmëri për artistët e sotëm të muzikës popullore thjesht për arsye të ardhurash? Unë them se tashmë është bërë pjesë e imja. Shikoni, unë nëpër dasma kam kënaqësi të marr pjesë. Pjesëmarrja në dasma është një kënaqësi më vete sepse kurorëzon një çift. Prandaj, nuk mund të quhet domosdoshmëri. Në sa dasma keni marrë pjesë? Janë pa numër. Duke lënë disi mënjanë modestinë, unë jam këngëtarja më e kërkuar sot për sot. Në Shqipërinë e Mesme, flas. Dhe sa paguheni për një dasmë? Nuk mundem të them shifër, më kuptoni drejt…Por mund t'ju garantoj se jam më e paguara sot për sot dhe jam shumë e kënaqur. Para disa kohësh kishim një intervistë këtu në "Shekulli", të koreografëve të njohur që shprehnin shqetësim për dasmat e sotme, braktisjen e traditës dhe muzikës shqiptare. Sipas Valbonës, është prekur tabani i këngës popullore sot? Jam dakord me ta. Po, është prekur shumë. Pse është prekur? Tabani është prekur sepse në shumë evente po mbizotëron tallavaja. Në shumë vende, ku mund të dëgjohej muzika popullore, tani dëgjohet tallava. Kjo është për të ardhur keq, të flasim drejt. Po a ka aktivitete të tjera ku artisti i këngës popullore mund të marrë pjesë dhe mund të promovohet ashtu siç duhet? Them se po. Artisti i vërtetë i këngës popullore ka disa variante: duke bërë këngë të vetat dhe videoklipe dhe duke testuar veten në tregun e kësaj muzike, ose mund ta shfaqë veten në evente të ndryshme, ka organizime serioze ku kërkohet pjesëmarrje serioze dhe nivel i lartë i interpretimit të muzikës popullore. "Një ditë pa dasma në verë? Drekë me fëmijët dhe shëtitje me Roky-n" Valbona ka shumë vite që i përkushtohet këngës popullore të Shqipërisë së Mesme. "Do të vazhdoj të kontribuoj në muzikën e mirëfilltë të Shqipërisë së Mesme", – thotë ajo, duke e bërë të qartë që mesa duket në këtë zhanër e ka gjetur plotësisht veten. Në pjesën e dytë të intervistës për Sh.F, Valbona flet pak për veten dhe atë çfarë po bën këtë verë të nxehtë të 2012-s. Një ditë "pa dasma" e Valbonës, si është? Një ditë e imja pa dasma gjatë verës… Pasi çohem nga gjumi, dal në mëngjes dhe pi një kafe e shoqëruar nga qeni im Roky. Me Roky-n bëjmë një shëtitje për t'u qetësuar. Kur jam e lirë, dal edhe me fëmijët për drekë. Koha për të qëndruar sa më tepër me fëmijët duhet gjetur patjetër pavarësisht angazhimeve në çdo fushë që të jenë. Unë përpiqem ta gjej gjithmonë kohën për dy fëmijët e mi. Kalon Valbona shumë kohë para pasqyrës? Kujdesi për veten është gjëja që e dua më shumë. Nuk më pëlqen pasqyra se nuk kam shumë kohë, por sido që të jetë kujdesem shumë. Veshjen, në mënyrë të veçantë, e zgjedh gjithmonë me kujdes. Valbona, ke dashur gjithmonë të jesh këngëtare e muzikës së Shqipërisë së Mesme, apo ishte një "zbulim" gjatë rrugës së karrierës? Rrugën për këngën e kam nisur shumë e vogël sepse kam pasur shumë dëshirë të bëhem këngëtare, pak a shumë kjo që jam sot (qesh). Që e vogël kam qenë shumë aktive, nuk humbisja asnjë rast për të qenë nëpër eventet që bëheshin. Kam marrë pjesë në spektakle televizive dhe në plot ngjarje të tjera. Për pyetjen tuaj, mund të shtoj se unë fillimet e mia i kam pasur me muzikën e lehtë shqiptare. Më pas i jam përkushtuar plotësisht muzikës popullore. A ka këngëtarë të mirë popullorë sot, si mendon? Sigurisht. Nuk dua të përmend emra, por mund të them që ka shumë këngëtarë të mirë të muzikës popullore. Mos ka ca si tepër? Absolutisht jo…Gjithkush ka vendin dhe fansat e vet. Pushimet e verës? Pushimet i mia gjithmonë i bëj në fillim të shtatorit që jam pak më e lirë. Në këtë kohë numri i dasmave dhe i angazhimeve vjen duke u ulur. Por, pushimet janë gjithmonë surprizë. Ku do t'ju shohin fansat tuaj pas verës, veç dasmave? Ky projekt që jam duke punuar është surprizë në zgjedhje dhe në stil.
(SHEKULLI)

Valbona Mema: Tallavaja Po Prish Tabanin E Këngës Popullore