>
LETERSISHQIP

Zemër E Lodhur

Dikur, moj mike, me orë
Të mbaja shtrënguar në gji,
Dhe zemra në kraharor,
Më rrihte, gjithë lumturi!

Netëve, nga yjet mbuluar,
Shtrirë mbi lëndinë,
Gjer në të gdhirë, rrinim zgjuar,
Dhe flisnim për dashurinë!

Me vrap, rendja tek ti
Sa herë më mungoje
"oh, pa ty, s'mundem të rri"
"as unë, pa ty"-më thoje!

Por tani, çdo gjë u fik,
Zemrën e shuar, kam unë
Netëve, me hënë e dritë
Pa të menduar, fle gjumë!

I vetëm, endem në lëndinë
Ulem mbi bar, në parqe
Por s'mendoj për dashurinë,
I lodhur, bie në paqe..!