>
LETERSISHQIP

Veç Një Natë

Nata është mister,
Mbushur fshehtësi,
Më shfaqesh ti, në derë
Kur zbardh, shkon përsëri!

Si ylli, befas, zgjuar
Nga një gjumë i gjatë,
I fshehur a i shuar,
U ndeze, veç, një natë!

Një natë, dhe tjetër herë
S'të pashë më me sy,
Të mbajta unë në prehër,
Me zjarr të putha ty!

Që s'ktheheshe, s'e dija
Lamtumirë, s'më the
U ndeze si shkëndija
Por flakë kashte qe!

Prita në derë të hyje,
Më kot, shpresova gjatë
Në jetë, paska dhe yje
Që ndrijnë veç një natë!