>
LETERSISHQIP

Vendstrehimi Im

Në ato netë të ftohta me hënën kallkanisur
Kur s’ dihej në të gjente në shtrat ndonjë agim
Në gjoksin tënd i zhytur, me heshtjen nanurisur
Të thoja lehtë te veshi: Je vendstrehimi im.

Kur bora qetësisht gjithçka e kish mbuluar
Dhe flokët dhe çatitë dhe fjalët tona ngrinë
Në gjirin tënd u zhyta me heshtjen përqafuar
E përsërita prapë: Je vendstrehimi im.

E në shetisnim rrugës me gishta gërshetuar
Dhe ca vështrime shtrembër na shponin pambarim.
Me puthje të padhëna aq shpesh të shoqëruar
Unë ty sërish të thosha: Je vendstrehimi im.

E nëse ndodh një ditë, prej teje larg të jem
Do t’ doja prapë te veshi dy fjalë të të arrijnë
Nga tjetra botë qetësisht, përsëri do të t’i them:
Të dua fort! E di?... Je vendstrehimi im.