>
LETERSISHQIP

Janë Të Tilla Dashuritë

Dymbëdhjeta ra ngadalë,
Dritat koten në lokal.
Sa mezi na del një fjalë…
Eja, mik, të kam në zemër,
Pse më hedh vështrime shtrembër?
Dhe më pyet: Brodhe botën?
Do ta them, po mbushma gotën!

Mbushe dhe një gotë për vete,
Të këndojmë, kemi siklete!
Ule radion, le t’ ia themi
Këngë të vjetra, xhan i kemi!
Nga ato që vetëm flasin,
Dashurinë në shpirt e ngasin
Si me thikë në gjoks godasin.

Dhe gjëmon kjo zemra ime,
Po zërat mezi dëgjohen.
Jepmë dhimbjen, dritën time!
Këta gjela pse nuk zgjohen?!...
Brenda gotës seç pikokan,
Pika loti s’u mbarokan,
Verës ngjyrën ia kthjellokan!

Dashuritë të tilla janë,
Kur mërziten rrinë mënjanë.
Si udhëtarët udhëve mbesin,
Llogari pashlyer tresin.
Eja, mik, ta ngremë një gotë,
Mos më hidh vështrime kot,
S’e ndryshojmë ne botën dot!…