Valixhja E Vjeter

Të shikoj valixhe e vjetër.
Dru me vrima, krimba shpuar.
Je kujtim nga një kohë tjetër,
Kur im atë qe i dënuar.


Ç’të kujtoj më parë, moj mike!?
Gjithmonë gati në korridor.
Herë më erdhe, herë më ike.
Jeta jonë një fat mizor.


Burg i mbyllur tek qelia,
Ndaj për mua ke kaq vlerë.
Brenda më kish mbetë rinia.
Bëj t’a nxjerr e nuk e nxjerr.


Brenda teje flinin ëndrra,
Ngatërruar bukë e gjellë.
As u ndala as u trëmba.
Burg më burg i kam përcjellë.


Nuk të flas valixhe e rrjepur.
Nuk ke veshë e nuk ke gojë.
Si relike më ke mbetur.
Dua vite të t’zbuloj.


Hap e mbyll, i gjëmon fatit,
Rroba burgu, mall dhe lot
Të mungon kostumi i Gabit*.
Shkoi me atin tim n’atë botë.


*Gabi - Tregu i shitjes së rrobave të përdorura.

- poezi nga Vaso Papaj


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  2