>
LETERSISHQIP

Qytet I Thinjur

Vjosë e qetë, Vjosë e tërbuar,
Nuk më mban dot më pranguar.
Lamtumirë, Përmet i thinjur!
Po iki nga ty panginjur.

Lamtumirë! Nuk di ç’do të mbesë!?
Një rrugë bosh, rrugë e pashpresë.
Tek faqja një shenjë e bukur.
Trëndafil më ngjan, i purpurt.

Dhe ikën taksia, ikën…
Tymi i saj më ndjek tërë ditën.
Këngë rrotash gjallojnë dritën,
Qiriun që më ndjek s’ma fikën.

Lamtumirë! Do t’më kërkosh.
Do të qash, do të vraposh.
Nëpër rrugët bosh, panginjur,
Këtij qyteti krejt të thinjur.

Dhe taksia e pluhrosur,
Si një breshkë e hardallosur.
Valixhe mbi skarë stivosur.
Shpresa brenda, e plagosur.

Lamtumirë! Më s’do të kthehem.
E klith dhimbjen, vetëm ndjehem.
Shtrëngoj dhëmbët, shtrëngoj lotët,
Nuk bëj dot, s’jam nga të fortët.

Dhe taksia ikën, ikën…
Tym e pluhur merr përsipër.
Grushta nderur, grushta ngritur.
Grushta që më lanë t’uritur.

Lamtumirë, Përmet me derte!
Nuk do le pa marrë me vete,
Një kujtim të trishtë si shiun,
Të më ngjallë Laver Bariun.

Dhe ikën taksia, ikën…
Ti tashmë më ngjan me pikën.
S’e harroj atë të puthur.
Lamtumirë, Përmet i bukur!