>
LETERSISHQIP

Welcome

Welcome!
Rrugica plazhi ndajnë pallate monstra, si n’mesjetë.
Welcome!
Uji i shpallur në kërkim, një pikë nuk ka në rrjetë.
Welcome!
E ndër kazanë që digjen lëshohet profum plehrash.
Welcome!
Mickonja si përbindësha, që ngjajnë me noçka derrash.

Welcome!
Ujra të zeza hallakatur bregut gjithandej, shkojnë e vijnë.
Welcome!
Si në parada diktatorësh, gjirize mbushur minj.
Welcome!
Kjo fjalë më duket si breshëri që del nga një kallash.
Welcome!
Me ngjyra, drita, mbi tabela, kudo, e shkruar trash.

Atëherë, Welcome!
I lodhur, së fundi për një kafe i ngjitem ashensorit.
Welcome!
E nis çapoj, nën dritën e vërdhemtë, në fund të koridorit.
O Zot!
Welcome, s’e mbusha orën, vetëm një kafe e shpejt ekspres
Welcome!
Më shumë se dhjetë lypsarë m’i sollën mendjes stres.

Ndaj vite kështu në portat tona më s’troket njeri.
Dhe kjo welcome, vërtet, mos është hipokrizi?...
Jetojmë një kohë kur maskat qenkan ngritur në delir.
Ca herë edhe padashje, po shpesh me shumë dëshirë.

Atëherë, të brohorasim, miq - Welcome! - sa jemi tok.
Welcome, po kurrë kështu në botë s’do t’kemi shokë.
Nëse një hap e shtrijmë pa dashuri, pa dituri,
Më kot do të presim një trokitje mike nga njeri.

Ndaj, fashën “me Welcome” pa flakeni në kosh.
Me rrënjë t’i futemi shtëpisë, t’i mbushim vrimat bosh.
Dhe veç atëherë, kur bukurinë ta kemi lakuriq,
Të shkruajmë zemërhapur: “Mirë se të vini, Miq!”