>
LETERSISHQIP

Zonjushe E Perjeteshme

(Musine Kokalarit dhe jo vetëm)

Vetëm nga një fjalë e jotja
Ndjej pavlefshmërinë time, mike.
Se je befasia e vendit tim,
Ngjan me një perlë antike.
Dhe me tënden mençuri, pyes:
Përse zemrën dot s’ta shembën,
Kur vlerësoje ligjin e frymëmarrjes
Për të shkruar fjalën liri,
kurrë s’të trembën?

Pak fjalë të tuat
Dhe më bëhet sikur jetoj një përrallë.
Bota më zbulon motivin e saj rastësor,
Magjinë e pashpjegueshme të të qenit i gjallë.
Kur fole, shkrove
Dhe sfilonin buzëqeshjet
Mes dhëmbëve të bukur,
Zonjushë e përjetshme, më mbete pranë
Duke ëndërruar me sytë pa lot.
Dinjiteti i kishte shkundur.

Si jehonë më arrijnë fjalët e tua.
Më sjellin Koloseun e mbijetesës:
Të rrosh a mos të rrosh dhe si?!
Shtëpinë e dijes “La Sapienza”*.
E vetmja, e jotja dashuri…
Shëtitoren e Rrëshenit,
Ku askush veç vrundullit të erës
Rrotull nuk të gjindej.
Kalldrëmet e qytetit jugor,
Ku përjetësia me vdekje lindej.

Edhe një rresht tëndin…
Pres që ligjërata të mbarojë
dhe gëzimi për të jetuar të më rrëmbejë
E gjer në pambarim të më dërgojë.
Vetëm një fjalë e jotja
Dhe mësoj se ndodhemi në histori
Si një çrregullsi e shtrënguar fort te kujtimi,
Për të mësuar mirë,
Se ç’do të thotë, për njeriun, mundimi.

Përsëri, vetëm një fjalë e jotja
Dhe më zhvishet nga retë mbrëmja.
Është mrekulli, që ne jemi akoma
Dhe ti, shpresoj më në fund,
Të kesh shpëtuar, atje, përtej, nga ftoma.
Dhe vazhdoj të lexoj
Magjitë e fatit, absurditetet e kohës,
Mes telave me gjemba
Dhe telave të një çiftelie.
Dhe hamendësohem,
Nëse e kemi kapur ëndrrën tënde të hershne
Për një grimë të vërtetë lirie.
Ndaj, do të të thoja, Zonjushë e përjetshme,
Se do të vazhdoj t’i ndjej rrahjet e zemrës tënde
brenda simes edhe më të thekshme.


• Universiteti në Romë ku Musine Kokalari
përmbushi studimet e larta me rezultate maksimale.