>
LETERSISHQIP

Koncert Nen Narkoze

Paksa hapa dritaren, që ajri të më nginjte,
Po fshihej ngadalë nata, narkoza tretej krejt.
Do të desha mugëtira me yjet ta thëthinte.
Nën dritën e mëngjesit të hapja një koncert.

E zura të këndoj kur bulkthi kish pushuar.
Atë mëngjes të vakët kur s’pipëtinte kush.
Një botë aq të padrejtë s’e doja nëpër duar,
Ku qeshje të sinqerta nuk të dhuron askush.

Me shpirtin e poetit, koncertin do t’këndoja.
Le t’isha nën narkozë, do t’ngjallja veç besim.
Agimit të përgjumur një rreze dritë t’i shtoja,
Gjersa një pikë narkoze mos mbante brezi im.