>
LETERSISHQIP

Deti

Deti po skërmitet, vala po gjëmon
Dhe e ka me mua, hapur më qorton.
Te një varg diku, në një poezi
Detit i kam thirrur: Kusar e lubi!

Po nuk kisha faj, nga bregu qenë nisur,
Tërë djemt’ e fshatit, me ëndrra molisur.
Na i mori zemrat, puthjet i harruam,
Na la vetëm isot, isot dridhëruam.

Mund t’i thoja detit: Je i mirë, më fal?
Fshati zuri zinë, s’kish mbetur një djalë.
Kishte shkarë kaikja mbi tantella shtruar,
Nuk ishin tantella, po det i tërbuar.

Ndaj vjen përsëri, tërë natën pa gjumë,
E gjëmon te bregu, skërmitet me shkumë.
Pres të vij’ mëngjesi, paksa të qetësohet
“Nuk bëj më kështu”, pres të më betohet.