>
LETERSISHQIP

Cupeza Ledhatare

Do të këndoja rrok, tuist e kanconeta,
e kisha ëndrrën time amerikane,
Po ja, që s’shqitem dot nga klarineta,
tek jam buzë Vjosës, a kopshteve shkodrane.


T’ këndoj për nënën, por dhe për politikën,
herë pogonishte, here serenatë korçare,
për sybajamen që bregut vjen dhe ikën,
për miqt’ e shkuar që s’po i shoh më fare.


Dhe menjëherë në mendje, më ndizet nostalgjia,
si erdhi me dhembje dhe si më la rinia.
Po këngët si puhiza, çukisin në dritare:
Më duket sikur erdhën, ca çupëza ledhatare.


Do të këndoja rrok, tuist e kanconeta,
me xhinse, me kitarë, si Elvis Presli vetë,
po ja, ca fjalë, ca nota, godasin si shigjeta
e bëhem ëndrrimtar, si cilido poet.



Nuk jam më një djalosh me vathë, që sheh mbi retë
Dhe dy tri fjalë me nota, krejt ç’më drithërojnë,
më japin tjetër shije dhe më bëjnë me fletë,
tek porta e vjetër e shtëpisë më çojnë…