>
LETERSISHQIP

Bastard

I lutem Zotit të më pengojë,
Mos të të djeg me zjarrin që kam brenda.
S’dua të shoh si bëhesh hi,
Ndaj po të pyes, pa frikë,
Të pyes me shpirt, me zë të lartë
Edhe në vdeksha: I ç’lloji qënke, o Bastard?


Si heshtje varri më rrethon.
Do të të mund me dhimbjen që kam brenda.
Të kthehesh zjarr kashte anemik
Që di veç lojën ndez e fik
Ndaj të thërras me zë të lartë
Edhe në vdeksha: Pa gjak qenke, krejt pa gjak.


Si hapësirë boshe, më tmerron.
Provoj të t’mund me dashurinë që kam brenda
T’i kthehesh dashurisë, kam merak.
Por jo,… s’arrij, aspak, aspak…
Ndaj prapë thërras me zë të lartë
Edhe në vdeksha: Bastard je, thjesht Bastard.


Se s’ke Atdhe, as Zot nuk ke.
Paranë e ke të vetmen ëndërr brenda teje.
Dhe dashurinë, si sex, vetëm sex…
Ke marrë ç’ke dashur, pa dhënë asgjë,
Ndaj zëri më shpërthen më fort se kurrë:
Bastard! Më ndan nga ty, pa cak, më i larti mur.