>
BIOSHQIP

Vedat Ademi: “Kënga E Re, Realiteti Goditës Që Prek Artistin“

09-04-2014
Zëri dhe sfida e tij “live” e kanë bërë të jetë in në Tiranë.

Ky është këngëtari Vedat Ademi, i cili prej disa vitesh po konkurron mjaft mirë tregun muzikor shqiptar.

Në një intervistë për gazetën "Shqiptarja", ai na tregon bashkëpunimin e tij me Kapital T, jetën e tij mes muzikës dhe familjes, si dhe projektet për albumin e ri.

Duket se këtë herë, valës së produksioneve të reja muzikore do t’i bashkohet edhe një bashkëpunim i suksesshëm mes hip-hopit dhe baladës.

Edhe pse të dy këta artist janë mjaft të sukseshëm në zhanret e tyre, këtë herë kanë zgjdhur t’i këndojnë vështirësive në muzikë dhe realitetit që ata prekin çdo ditë përball një tregu jo të pastër.

Valës së produksioneve të reja muzikore duket se do t’i bashkohet edhe një tjetër bashkëpunim me Kapital T. Si lindi ideja për realizimin e këngës?

Ky bashkëpunim ka ardhur shumë natyrshëm. Ne njihemi prej kohësh dhe sapo më tregoi një material muzikor të bukur, e pëlqeva pasi e dëgjova dhe pse jo vendosëm të bashkëpunonim. Pak a shumë ishte iniciativa e Trimit për të sjellë këtë këngë në prag të sezonit veror.

Është hera e parë që bashkëpunoni?

Në fakt, është bashkëpunimi i parë me Trimin, pavarësisht që njohjet tona shtrihen kohë më përpara si miq. Ndoshta më parë nuk kishte ardhur momenti që ne të sillnim këtë klip në duet dhe diçka konkrete. Besoj se ky ishte rasti më i mirë që ne të sillnim një këngë me një larmishmëri tingujsh.

Dy këngëtar që këndojnë zhanre të ndryshme në muzikë. Kapital T që na është shfaqur gjithmonë në hip-hop dhe ju me baladat e sukseshme?

Në këtë produksion muzikor janë të përfshira të dyja frymat e muzikës përkatëse që bëjmë në muzikë. Në këtë këngë, Trimi këndon hip-hop, ndërsa unë kam sjell një refren të ëmbël siç është natyra ime, ose më saktë jam po i njëjti Vedat. Normalisht këto lloj bashkëpunimesh nuk janë risi, por janë tërheqëse.

Cila është fabula e këngës?

Pjesën e vargjeve kur këndon Trimi janë shkruar nga vetë ai, ndërsa unë kam bashkëpunuar me Endrit Mumajesin një tekstshkrues i ri, me të cilin unë kam pasur dhe bashkëpunime të tjera. Fabula e këngës është fokusuar tek muzika dhe rruga e vështirë për të depërtuar në treg. Kjo këngë i mëshon shumë vështirësive dhe pengesave që ne ndeshim çdo ditë në tregun muzikor duke na bërë më realist përballë këtij realiteti. Këtu lindin dhe pyetjet se sa e vështirë është të bësh muzikë në Shqipëri, të realizosh një këngë që të qëndroj gjatë në treg apo konkurrenca mes artistëve.

Karriera juaj muzikore tashmë ka marrë drejtim duke mos ngelur vetëm tek “live” apo klipet. Keni menduar për ndonjë album të ri?

Kam disa këngë të papublikuara dhe mendoj që t’i bashkangjis në albumin e ri, por ndërkohë jam duke mbledhur dhe këngë të tjera së bashku me djemtë e grupit tim Kledi Bahitin apo Endrit Shani dhe kompozitorin Vullnet Ibrahimi, Shpend Hajredini, etj.

Pak ditë më parë keni publikuar një foto ku citoni “bëmë baba të të ngjajë”?

Është e vërtet që unë jam shumë i përkushtuar ndaj engjëllit të familjes sonë. Ajo foto u realizua në kuadër të një albumi që bëmë duke fokusuar çdo ditë rritjen e djalit.

Përveçëse një këngëtar i suksesshëm, jeni dhe një baba i përkushtuar. Si e menaxhoni kohën mes familjes dhe muzikës?

Natyrisht që nuk është e lehtë të jesh kaq impenjativ edhe me muzikën, projektet dhe familjen. Mundohem që të menaxhoj mjaft mirë kohën që kam duke mos lënë pas për asnjë moment familjen. Veç angazhimeve në muzikë do të thoja se në këtë periudhë, djali ka qenë gjëja më me rëndësi në jetën time.

Ka ndryshuar jeta juaj në çift?

Jeta jonë bashkëshortore është bërë akoma më e bukur me ardhjen në jetë të djalit. Fëmija është bekim për çdo familje!
(b.t/shqiptarja)

Vedat Ademi: “Kënga E Re, Realiteti Goditës Që Prek Artistin“