>
LETERSISHQIP

Gjumin Ma Paske Marrë!

T’u luta pak gjumë të më sjellësh në sy!

Jo, nuk fjeta! As mbrëmë!
Ditët në netë u kthyen përsëri,
Të gjata, të gjata, të gjata,
Gjer tek numri im me fat, shtata.
Gjumin ma paske marrë,
Në xhepin bosh,
Kur fjalët të ranë në bulevard,
Nga padurimi i pritjes.

Kur, patjetër duhej të ikje larg,
Pse nxituar erdhe me gjoksin zjarr?
Kur zemrës i kishe çelës,
Pse nuk ma fale më parë?

S’e dije, që zjarrin, që ndeze,
Do ta ushqenin damarët e mi?
Se psherëtimat çliruar gjoksit,
Do t’i thithnim në gjak të dy?
Tani... pikë vese mbi të tuat buzë,
Emri im u tret, u shua...
Në mjegull humbi,
Si në mosqenie,
Dhe netët, netët, netët,
Rrjedhin me vërtik drejt fundit,
Pa mendje.

E shtunë 24 dhjetor 2011 ora 07:00