>
LETERSISHQIP

Pres Të Vijë Nesër

Nuk dua ta mësoj pse ike dje.
Të skuqurit sy me lot,
Nuk m’i dhe me vete,
Po u rrëzuan buzë trotuarit të ndarjes.

Pas krahëve,
Të priste rruga...

Ofshama i shpëtoi kraharorit tënd.
Buzëqeshja ime ngriu trishtueshëm.
Shallin diellor shtrëngova mbi supe.

Ti ike... ike... ike...
Me shikimin drejt horizontit,
Pa ia fshirë syrit rrokullisjen e lotit.

Shtrëngove xhaketën jeshile nën sqetull,
Trotuarit iu ngjite, të dhimbjes.
E shkule dot atë lot të mbetur?

Po unë, atë ditë, nuk e dija “pse”,
As më vonë...
As tani nuk e di.

Zëri yt i ngrohtë,
Gjatë, më shoqëroi hapësirës së largimit,
Tri orë,
Plus katër...
Plus katër...
Gjer në prekjen e orës së bardhë.

E pas saj...
T’u tret e shpirtit psherëtimë
Hapësirash të kaltra.
E blu deti e thellë
Humbi oqeaneve të largëta.

E largohej, e largohej, e largohej, ...

Dhe unë nuk e kuptova “pse”,
As më vonë...
As tani nuk e di.
...
As fjalët e erës t’i dëgjoj, nuk dua.
...
Ti je tek unë,
E dielli shkëlqen si dikur.
Gurgullima e qeshjes pranë veshit,
Ujëvarën e ëndrrës më derdh mbi supe.
Ti dorën ma prek me fëshfërimë.
Blu flladi i syve të tu,
Më vesh puhizë fustanin tim të vetëm.
E “Afërdita” më sheh me zili.

Një pjesë e jotja jam, e di,
Por, pres që të vijë... “nesër”...
E të jem e gjitha “ti”.
...
As fjalët e erës t’i dëgjoj, nuk dua.
...
E di tashmë,
I fundit lot, iu këput cepit të syrit,
I fundit, vetëm...
E unë nuk dua të di pse ike.
...
Në zemër ruaj “kur ti ishe”,
E shallin diellor shtrëngoj supeve!!!
...
Por... loti i fundit... nuk është i fundit...
E mërkurë 7 dhjetor 2011 ora 15:00