>
LETERSISHQIP

Një Degë Borziloku

Prindërve të mi të fjetur
Nga gjiri e nxora një degë borziloku,
Mermerin e ftohtë t’ua ngroh pak,
Me frymë t’ua ngroh zemrat e akulluara,
Ju dini!...
Ne flasim çdo natë bashkë.

Ti, nënë, kurrë s’ke mbajtur shami,
Mbi flokët e bukur kaçurrelë,
Përse e ke vënë tani?
Apo...
Për dhimbjen që zemrën të bren?

Pëllëmbët zgjatni përpara meje,
Mbi gjoks m’i vini edhe pse s’i ndiej,
Shpirti ju digjet, nuk mund të qani:
“Jo, bijë, jo! Mos eja këtej!”

Kjo varrezë nuk është si të tjerat,
Edhe pse varre, lule e gjemba ka plot,
Mbishkrimet lexoj mermeresh të ftohta,
Endem, kërkoj, e nuk e gjej dot.

Një mal dashurie më vini përpara,
Më shtyni, më largoni prej mallit tuaj,
Në krahët shtrirë drejt meje, të fëmijëve,
Në dashurinë e tyre, përvëluar.
E premte 19 gusht 2011 ora 15:15