>
LETERSISHQIP

Edhe Pse E Di...

Në verbërinë e natës së gjatë,
Endem vetmuar pa gojë, pa sy.
Unë jam “ajo”.
Një emër kërkoj për ty,
Edhe pse e di.

Otello je?
Më përqafove, më vrave.
Një puthje i kërkon përsëri,
Kufomës sime.
E zeza lëkurë,
Mbështjellë një zemër të bardhë kish,
Që shpirtrat e bukur ndriçonte diell.
... Por botë e egër ish.

Mos je Hamlet?
Rrethuar fantazmash shpirti yt,
Më deshi. Më çmendi.
Për t’u kthyer në fantazmë të dytë.

Mbase, mister Eshersti je?
Më deshe. Më braktise.
Mungonin “lulet e mollës dhe prarimi i pranverës”,
Në udhëkryq, rrëzuar mbi varrin tim.

Ah! Robi 1) do të jesh.
Me sytë bosh nga tmerri i kaluar,
Me zemrën akull nga vrasjet pa fre,
Pranë shtratit të bardhë, ti, sy pikëlluar,
Kufomës sime, shpirtin tënd të ringjallur i le.
Bardhësinë verbuese mbyt tani në gotën e rumit.

Unë jam “ajo”.
Një emër kërkoj për ty.
Edhe pse e di.

1)Personazh i Remarkut “Tre shokë”
E mërkurë 10 gusht 2011 ora 15:45