>
LETERSISHQIP

Ashtu, Nga Pesha Rënduar...

Kërkuam në vitrinën e jetës,
Dhe e blemë valixhen tonë.
Me radhë vendosëm aty:
Përqafimin ti,
Ngazëllimin unë.

Pastaj e mbajtëm të dy,
Ashtu, nga pesha rënduar:
Pranverash të gjelbëruara,
Verash të nxehta,
Vjeshtash të paqta.

Në stolin e dimrit ulemi tani.
Pa frikë e hapim valixhen tonë.
Korbat e zemërimit do të ikin lart,
Krahët e zinj duke rrahur fort.

Mbase kanë mbetur pak lule,
Gjethe rëna e kërcej tharë.
Po ne i përkëdhelim ato,
Sepse jemi akoma bashkë!

E diel 7 gusht 2011 ora 16:00