>
LETERSISHQIP

Harrove Kalendarin

…Atë ditë të ngrohtë janari,
Avionit të ëndrrës i zbrita, atë ditë.
Nxitimthi kalova nën harkun e shpresës,
Për të marrë nektarin e puthjes nga e nxehta buzë.
Të kujtohet?...

Ditë e ngrohtë janari... ish ajo ditë!

Ti solle me vete portretin tënd pikturë,
Mbështjellë në letër me ngjyrën e ujit të kthjellët.
Me të zbukurova murin e zhveshur të vetmisë.
Përballë dritares e vura, nga hynte rrezja e diellit.

E mahnitur buzët mbështeta,
Të pi, të pi, ta shuaj etjen e pritjes së gjatë.
Kur ti papritmas zbrite nga portreti,
Në cep të shtratit m’u ule atë çast.

Shkujdesur u ule në atë cep shtrati,
E nise me ngjyra fjalësh të vizatosh jetën.
Unë faqen mbështeta në supin tënd të fortë,
Lodrova në qeshjen gurgulluese,
U përkunda brenda blusë së thellë të deteve.

Bëre kafenë, e pimë të dy,
Sikur të pinim nektar dashurie.
“Mos vështro orën, të lutem, edhe pak”.
Sytë m’u dogjën nga lotët valë të nxehtë,
Kur ti ike, brenda kornizës u fute prapë.

Po ti, i dashur, harrove të më sjellësh kalendarin,
Të shënoja aty sekondat e gjata të lumturisë,
Kthyer në grimca, shpërndarë qiellit tim të pritjes...
...
Përsëri endem në qerthullin bosh të vetmisë.
...

Pres tani të vijë agimi i bardhë,
Kur rrezet e diellit të lozin me ty,
Të ta prek lehtas ballin e lartë,
Të shoh imazhin tim brenda liqeneve sy.
...

Ditë e ngrohtë janari...ish ajo ditë!
E shtunë 2 korrik 2011 ora 05:00