>
LETERSISHQIP

Dëshmi E Vetme

Fleta e bardhë e heshtur
Trishtueshëm rënkon mbi tryezë.
Pena lëkundet përvajshëm
Në kallamarin bojëtharë të zezë.

Pusi i thellë i kujtimeve
Ngjarjet çngjyros pa reshtur.
Grimcat e pluhurit të fundit
Po mbledh në një urnë të cekët.

Po sikur?...
Ti, i dashur, të bëhesh pena ime?
Ngjyrën zemrës merrja, të kuqen,
Tek pikon ngadalë pik, pik, pik, pik.

Vizatoje fletën vetëm me një ngjyrë.
Vizatoje fletën edhe pa konture...
Pastaj erës tregoja atë fletë...
Jooooo, të lutem, mos ia lër në dorë.

Ose jepja ti vetë kohës,
Vetëm kujdes, të ruhet ngjyra e zemrës.
Le të mbetet kjo fletë për kohët e ardhshme,
Dëshmi e vetme, shkruar me të kuq.

Kur rrahjet e zemrës të reshtin pas pak,
Të vjetrat mesazhe trishtimi,
Le t’i shkojnë kohës si sinjale Agimi!
Si thua, i dashur, sikur...?
E hënë 12 korrik 2010 ora 20:30