>
LETERSISHQIP

Perse Me The...

Përse më the të vij tek ti,
Mbështjellë fort në mallin tënd?
Si t`i kaloj këto humnera,
Kur rrugët janë të prera keq?

Sa ngrohtë më mban kjo pelerinë,
Zërat e jetës më ftojnë nga larg.
Pena mbi fletë dridhet mendueshëm,
Mëdyshje, mëdyshje më djegin zjarr.

Valsi i ëndrrës dorën zgjat tek ti,
Në udhëkryq më thyhen vargjet.
Trishtimin përcjell fëshfërimë e erës,
Vrapo, kërko krahë, fluturoji brigjet.

Kënga e agimit më fton drejt yjësive,
Ftesa e saj egër kafshohet në zemër.
Guximin mbërthej me kopsa metali,
Ah, këto rrugë, qenkan të prera keq!

Përse më the se më pret, ti,
Të vij bashkë me agimin e bardhë?
Përse ma fshin ti, lehtë qerpikun,
Nga loti im i nxehtë valë?

Përse më fton, kur rrugë s`ka kund?
Ti, ëndrra ime, e bardhë, e bardhë?
Në tehun e jetës përpëlitesh fort,
Në të thella hone fundosesh ngadalë.

Përse më fton, kur rrugë nuk ka kund?

E diel 5 dhjetor 2010 ora 19:00