>
BIOSHQIP

Landi Ndahet Nga Gruaja

21-04-2012
Duket se ka marrë fund martesa e një prej anëtarëve të grupit "West Side Family". Bëhet fjalë pikërisht për Landin, një nga djemtë më simpatikë të këtij grupi, i cili ka drejtuar për disa sezone rresht emisionin "Mos e beso po deshe" në "Vizon+". Martesa e tij me vajzën simpatike Iris, ka marrë fund dhe këtë e kanë pohuar miq nga rrethi i tyre shoqëror. Martesa e tyre duket se ka disa kohë që është ftohur, por goditja përfundimtare ka ardhur kur Landi është larguar nga shtëpia.

Bashkëshortja e tij, Iris kohët e fundit ka hequr gjithë fotot me Landin nga profili i saj në "Facebook", përfshi këtu edhe ato të dasmës. Pas këtij veprimi, i cili nuk ka kaluar pa rënë në sy dhe pa shkaktuar befasi tek miqtë e të afërmit e çiftit, kemi mësuar se Landi dhe Iris tani nuk jetojnë më bashkë. Ai ka preferuar të largohet nga shtëpia, ndërsa divorci nuk është kërkuar ende në gjykatë. Shpresojmë që kjo kohë të jetë një reflektim për çiftin dhe ata të dy të mund të kthehen sërish bashkë, nëse dashuria mes tyre pas kaq shumë vitesh nuk është shuar. Padyshim që veç miqve e të afërmve të Landit dhe bashkëshortes së tij, ky është një lajm i keq edhe për të gjithë fansat e këngëtarit dhe prezantuesit.

Lidhja e gjatë e Landit me Irisin

Landi dhe Iris kanë thuajse një jetë të tërë që janë të lidhur bashkë. Njohja e tyre ka ndodhur qysh në rininë e hershme dhe pas shumë e shumë vitesh të lumtur kanë vendosur që ta celebrojnë lidhjen e tyre, duke e bërë kështu zyrtare për të gjithë. Të dy, si Landi edhe Iris janë besimtarë në të njëjtën kishë, një lidhje shumë e fortë kjo përgjatë gjithë këtyre viteve. Madje kënga "Mesazh", një këngë që çmendi të gjitha vajzat në kohën kur u lançua, ka qenë një dedikim për Irisin.

Kurorëzimi i dashurisë me martesë

Edhe pse dihej që Landi kishte një lidhje të gjatë, sigurisht që martesa e tij ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Një lajm kaq i bukur sa martesa nuk mund t'u shpëtonte gazetarëve e të mos publikohej në media. Dasma, e cila ishte një ceremoni tepër private për syrin kureshtar të paparacëve u zhvillua në kishë. Landi dhe Iris u martuan në shtator, pikërisht më datën 19. Të pakta, gati të rralla janë rastet që Landi ka dalë në faqen e ndonjë gazete me të fejuarën e tij, duke nxjerrë gjithmonë në pah anën e vet profesionale dhe jo atë private. Landin, një nga djemtë më simpatikë të grupit "West Side Family", veç muzikës e kemi parë edhe me projekte të tjera. Si fillim ai nisi të punonte si moderator i programit "Mos e beso po deshe" në "Vizion plus", e më vonë Landin e pamë edhe në shoun "Dancing with the stars". Ndërkohë që djemtë e "West Side Family" këto kohë duket se janë disi në heshtje sa i përket prurjeve të tyre muzikore. Nuk e dimë nëse ata të tre së bashku janë duke përgatitur diçka të re këto kohë. Gjithsesi, ajo që vlen për t'u thënë është se WSF njihet një nga grupet që i ka rezistuar kohës dhe pavarësisht angazhimeve dhe projekteve që i kanë ndarë, ata kanë ditur të ruajnë jo vetëm miqësinë, por edhe bashkëpunimin artistik mes tyre.
(Jonida Hitoveizi MAPO)

Landi Ndahet Nga Gruaja