>
LETERSISHQIP

Mjekët Nuk Dezertojnë

Gjer sot dëgjuam për njëqindmijë dezertime, për një milion… Këtë e bënë mbretër, diktatorë, gjenaralë… Lanë luftrat përgjys njëqindmijë herë, morrën arratinë këmbekokë maleve, të xhindosur, friksuar, të uritur për copën e udhës së mbetur, s’ka gjë se e gjitha mbllaqitur për balte… E bënë për një çast jete varur dikund në ajër, për atë grimë drite të cilën miliona njerëzve ua kishin fikur me enkas, për të mos e parë, me një urrejtje shtazarake… Veç mjekët s’dezertuan kurrë… Ata ishin në vijën e parë të frontit apokaliptik, atëherë kur jeta në tokë nisi të shuhej përgjithmonë, kur kurorat mbretërore të globit me sytë përtej frengjive, herëherë zgurdulluar për qiellit, nga bedemat shtatlarëta, kërkonin mëshirën e Zotit… Ata ishin aty mes fushëbeteje, së toku me 80 milion viktimat e gripit spanjoll të viteve 1918-20… Kësokohe qindra-mijëra bluza të bardha dhanë jetën për të shpëtuar pjesën tjetër të botës, këtë gjë s`e kishte bërë më parë asnjë ushtri, asnjë qeveri… Edhe sot, ndërsa ne qëndrojmë në shtetrrethim të plotë, të barrikaduar si eremitë shpellash, shikojmë përtej xhamash apo ekraneve vizuele, çka ngjet përtejë udhës tonë, bluzat e bardha janë përjashta, bëjnë roje në kufijtë shtetrorë, janë nëpër aeroportet, ambulantat, spitalet, nëpër veturat e ndihmës së shpejtë… Ata janë atje ku ballafaqohet jeta me vdekjen, kanë vënë jetët e tyre në rrezik për të shpëtuar jetët tona… Ata janë mbi politikën famkeqe e cila përherë ka pretenduar për ti nëpërkëmbur… Por kot… Ata janë atje në fushëbetejë ndërsa politika njëlloj si struci ka futur kokën në rërë duke lënë nën sy të diellit gjithë shtatin djallëzor…