>
BIOSHQIP

Xhesika Polo: Sot Po Bëhen Të Gjithë “Këngëtarë”

28-08-2014
U rendit e treta në edicionin e parë të "X Factor Albania" dhe tashmë Xhesika Polo njihet si këngëtarja me zërin e fuqishëm. Në muajin Korrik, u publikua videoklipi i saj i ri me titullin "Turn Me On", e punuar nga Gent Myftaraj dhe me video të realizuar nga MAX Production. Në këtë intervistë ekskluzive për teksteshqip.com, Xhesika Polo na tregon më shumë rreth këngës së re dhe projekteve që ajo është duke përgatitur...

TeksteShqip: Xhesika, jemi në sezonin më të angazhuar për këngëtarët. Na tregoni me çfarë po merreni ju momentalisht?
Xhesika Polo: Po punoj për projektet e mia më të reja muzikore të cilat do të dalin në vjeshtë, gjithashtu jam aktive me muzikën live në Durrës.



TeksteShqip: Keni publikuar edhe videoklipin tuaj të ri "Turn me on". Na flisni pak më shumë rreth këtij projekti?
Xhesika Polo: Ka qenë një projekt krejt ndryshe nga të tjerët. Doja të sillja një këngë verore dhe të shpalosja një anë tjetër të Xhesikës, më energjike dhe ekstravagante. Për këtë projekt është punuar diku tek 4 muaj. Kam zgjedhur të punoj me një staf të mrekullueshëm e të zgjedhur.

TeksteShqip: Sa e vështirë është për ty si artiste e re të depërtosh në skenë?
Xhesika Polo: Ka ardhur një kohë që të gjithe po zgjedhin muzikën si rrugën më të lehtë. Të gjithë po bëhen “këngëtar”. Është shumë e vështirë sepse duhet të sakrifikosh shumë dhe ndonjëherë dhe të dalësh nga vetja. Unë po luftoj që të mbetem kjo që jam, origjinale dhe e thjeshtë. Është e vështirë sepse kjo rrugë të transformon plus që tregu në Shqipëri është goxha i vështirë për tu depërtuar nëse ti nuk bën muzikë komerciale.



TeksteShqip: Si po ndikojnë koncertet apo muzika "Live" në karrieren tënde?
Xhesika Polo: Unë kam qenë në Kosovë dhe Shqipëri. Tani për momentin këndoj muzikë live në Durrës. Ekperiencë që po më vlenë shumë sepse mësohesh me atë që do publiku.

TeksteShqip: Cilat do të jenë projektet tua të ardhshme pas këtij klipi?
Xhesika Polo: Kam shumë projekte në sirtar dhe jam në proces përzgjedhjeje. Këto muaj në vijim do tentoj të synoj pak më lart se thjesht një klip. Mbetet për tu zbuluar. Për momentin po e lë mister...

TeksteShqip: Po pushimet verore i ke mbaruar apo do shkosh nga fundi i sezonit?
Xhesika Polo: Me thënë të drejtën nuk kam fare kohë për pushime, përpiqem të marrë pak rreze paradite dhe pjesa tjetër e ditës i përkushtohet totalisht muzikës. Më vjen shumë keq kur e mendoj që po bëhen tani dy vjet që nuk bëj tamam pushime verore.



TeksteShqip: Nga jeta private diçka...
Xhesika Polo: Preferoj që për momentin ta lë private, ashtu siç dhe duhet të jetë.

TeksteShqip: Vjet morët pjesë në Këngën Magjike dhe arritët deri në finale. Po këtë vit, a do jetë prezente Xhesika në një nga festivalet tona?
Xhesika Polo: Për momentin preferoj të mos zbuloj asnjë detaj, por që do dëgjohet për mua kjo është e sigurtë. Madje do bëj shumë zhurmë (qesh).

TeksteShqip: A mendon te realizosh një album?
Xhesika Polo: Është akoma herët, mendoj se për një vit do kem albumin tim të parë. Pasi të kem arritur disa synime që i kam vënë qëllim vetës. çdo gjë në kohën e duhur.

TeksteShqip: Xhesika, të falenderoj që ishe me ne në intervistë. Për fund dëshiron të shtosh diçka...
Xhesika Polo: Dua t'ju falenderoj juve për intervistën dhe një përqafim shumë të madh për adhuruesit e mi!
(Teksteshqip.Com)

Xhesika Polo: Sot Po Bëhen Të Gjithë “Këngëtarë”